Të premten dhe të shtunën, nisën ndeshjet e kampionatit kombëtar të volejbollit për të rritura. Sipari i kampionatit u hap me ndeshjen Teuta – Vllaznia. Shkodranet janë ekip debutues, ndërsa vajzat durrsake erdhën në këtë ndeshje me stofin e fitueses së kupës së FSHV-së. Në mesjavë, Teuta zhvilloi edhe një takim miqësor me ekipin e UMB Volej-it në Tiranë, duke kolauduar jo vetëm përbërjen, por edhe mënyrën e lojës.

Ndonëse një ndeshje relativisht e lehtë për vendaset, pasi fitorja 3-0 e justifikoi plotësisht epërsinë e tyre, vajzat e teknikut Jazexhiu luajtën të mobilizuara duke mos i nënvlerësuar rivalet. Fitorja e parë është një siguri më shumë për të përballuar me sukses garën e gjatë të kampionatit.

Në javën e dytë që zhvillohet mw 6 tetor, Teuta pres sërish në shtëpinë e saj ekipin e Studentit. Pretendimet e durrsakeve janë, që të renditen në zonën e plejofit për t’u përfshirë më pas në betejën për titullin kampion.

Java e parë e meshkujve hapet me 6 tetor dhe Teuta pret në “Ramazan Njala” sfidën e ekipit të fortë të Tiranës. Me ardhjen e malazezit Vuk Medenica, Teuta shpreh siguri më shumë për t’i marrë revanshin Studentit në luftë për titullin.