Gjykata e Lartë ditën e sotme ka shqyrtuar rekursin e 11 të pandehurve të “grupit të zjarrit”, të akuzuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në vitin 2015 në Lazarat. 11 të pandehurit kishin depozituar kërkesën e tyre për prishje të vendimit të dhënë atë kohë nga Apeli i Krimeve të Rënda.

Gjykata mori vendimin për të lënë në fuqi 2 burgime të përjetshme. Albion Aliko dhe Bajram Boçi do të vuajnë dënim me burgim të përjetshëm për sulmin ndaj forcave Speciale RENEA ku u vra efektivi Ibrahim Basha. Gjykata e Lartë la në fuqi vendimet, ndërsa uli dënimet për dy të akuzuar të tjerë, duke marrë parasysh ligjin për të miturit. Ndërkohë 5 të dënuar të tjerë do të rigjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që lidhen me fashikullin e dytë të dosjes. 

Si ndodhi ngjarja

Në orët e para të mëngjesit të 24 qershorit të 2015-ës, forcat e policisë së bashku me forcat speciale RENEA dhe FNSH, zbarkuan në Lazarat pasi kishin marrë informacion për një situatë problematike, ku kishte pasur edhe të shtëna armësh. Pas kontrolleve ata arrestuan shtetasin Xhulio Malo, i cili po qarkullonte me makinë pra qendrës së fshatit. Në makinë u gjetën municione të shumta dhe lëndë narkotike.

Forcat speciale, njoftuan kolegët e tyre që të shoqëronin Malon. Në momentin që furgoni po afrohej për të bërë shoqërimin e Malos, u qëllua ndaj tij me armë zjarri nga një distancë prej rreth 200 metrash. Si pasojë e të shtënave, mbeti i vrarë efektivi i policisë, Ibrahim Basha, ndërsa u plagosën efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj. Asokohe, Policia e Shtetit kishte nisur një aksion për spastrimin e grupeve kriminale të drogës në Lazarat dhe shkatërrimin e parcelave me kanabis.