Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ku trupa gjykuese vendosi të dënojë me 30 vite burg Leonard Dukën.
Ndërkaq, me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga.
Elis Duka, vëllai i Leonard Dukës, është shpallur i pafajshëm, pasi nuk u provua që ka kryer vepren penale.
Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta, me 25 vite burg dhe Ilir Selmani, me 26 vite burg.
Si ndodhi ngjarja?
Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.
Emri i tij doli në skenë në tetor 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale.





