KOSOVË- Naim Murseli, i cili po hetohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt është dërguar sot pë ekzaminim psikiatrik në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, Murseli është lëvizur i prangosur këmbë dhe duar, ndërsa pasi ka kryer një ekzaminim psikiatrik me trajtimin e CT-s, është larguar nga klinika.
Në seancën e 4 qershorit, prokurorja Javorka Perlinçeviç deklaroi nga Gjykata Themelore e Prishtinës se Naim Murseli urdhëroi vrasjen pasi Liridonës përfitonte 260 mijë euro nga sigurimi jetësor në Suedi.
Si provë materiale nga ana e Prokurorisë është propozuar edhe raporti që e kanë pranuar sipas kërkesës së tyre nga organet e Suedisë, e që kanë vërtetuar se në emër të të ndjerës, në vitin 2022 është paguar polica e sigurimit jetësor në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze- të konvertuara në 260 mijë euro.
Avokatja e të akuzuarit, Teuta Zhinopotoku deklaroi në atë seancë se mbrojtja ka kërkuar që i pandehuri Naim Murseli të dërgohet për ekzaminim psikiatrik, ndërsa kërkesa e saj u pranua.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
