Një person në Tiranë është arrestuar pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin e vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhajt, ndodhur më 27 prill në Vlorë.

Në pranga ka rënë shtetasi E.Mehmeti, pas hetimit të kryer nga Policia e Vlorës, e cila arriti të identifikojë makinën me të cilën lëvizi vrasësi.

Nga hetimet rezulton se këtë makinë ia kishte dorëzuar autorit para krimit, ndërsa mjetit i ishin ndërruar edhe targat.

Mehmetit iu sekuestrua edhe një celular që pritet të zbardhë të dhëna për vrasjen e Renato Hoxhajt në Vlorë. Vrasja e tij dyshohet se është porositur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Renato Hoxhaj u ekzekutua mëngjesin e datës 27 prill me 3 plumba, 2 prej të cilave në kokë dhe 1 në kraharor. Për ngjarjen policia u njoftua nga bashkëjetuesja e viktimës, e cila e gjeti të pajetë në rrugicë, rreth 2 orë pas krimit.