Një 42-vjeçar shqiptar, në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur vite më parë në Shqipëri, raportohet se është arrestuar nga policia greke.

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, jetonte në një fshat në ishullin grek Evias dhe historia e tij ka befasuar banorët vendas, raportojnë mediat lokale. Kjo, pasi askush nuk kishte dyshime për të, duke qenë se bënte një jetë të qetë në ishull prej 9 vitesh, bashkë me gruan dhe dy vajzat e mitura.

Krimi për të cilin u arrestua të martën ka ndodhur para 16 vitesh në Shqipëri. 42-vjeçari u vu në pranga pasi gjatë një kontrolli të rastësishëm nga policia helene, u zbulua se ndaj tij rëndonte një urdhër-arresti, lëshuar nga autoritetet shqiptare.

Siç raporton “Lamiareport”, vrasja e kryer nga shqiptari ka ndodhur në vitin 2001 dhe 42-vjeçari është dënuar në 2004-ën me 16 vite burgim për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas të njëjtit burim, ai ka vrarë një person si hakmarrje për përdhunim e së motrës.