Një gazetar i specializuar në raportimin e çështjeve të sigurisë publike është vrarë në shtetin Puebla të Meksikës, duke shtuar shqetësimet për dhunën ndaj punonjësve të medias në vend.

Viktima, Josue Martinez, ishte drejtor i agjencisë së lajmeve Noticias San Martín Texmelucan, ku raportonte kryesisht për çështje të sigurisë dhe ngjarje kriminale. Organizata për lirinë e medias Article 19 kërkoi që autoritetet ta hetojnë vrasjen duke marrë si pistë kryesore punën e tij si gazetar.

Edhe qeveria e shtetit të Puebla-s dënoi vrasjen dhe bëri thirrje për një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes.

Sipas mediave lokale, Martinez u qëllua për vdekje vetëm pak metra larg banesës së tij nga dy persona që lëviznin me motoçikletë. Në momentin e sulmit pranë tij ndodhej edhe djali, i cili njoftoi menjëherë policinë.

I njohur edhe me nofkën “El Jaguar”, Josue Martinez ishte me profesion avokat, por më pas iu përkushtua gazetarisë. Ai ishte gjithashtu anëtar i shoqatës për të drejtat e njeriut Cre-Arte.

Vrasja e tij vjen vetëm pak javë pas konfirmimit të vdekjes së gazetares Roxana Guzmán, e cila ishte rrëmbyer nga banesa e saj në shtetin Veracruz. Në qershor u vra edhe gazetari i pavarur Luis Ángel López Valdés, pavarësisht se ishte nën mbrojtjen e autoriteteve për shkak të kërcënimeve të mëparshme.

Sipas organizatës Article 19, të paktën 10 gazetarë janë vrarë në Meksikë që nga marrja e detyrës nga presidentja Claudia Sheinbaum në tetor 2024, duke e renditur vendin ndër më të rrezikshmit në botë për gazetarët jashtë zonave të luftës.

Ndërkohë, organizata Reporterët pa Kufij (RSF) raportoi se gjatë vitit 2025 u vranë nëntë gazetarë në Meksikë. Sipas të dhënave të saj, që nga viti 1994 janë regjistruar të paktën 150 vrasje të punonjësve të medias në vend.