Në ngjarje e rëndë është shënuar në Itali, ku një grua me origjinë shqiptare është gjetur e vdekur pasditen e së mërkurës në banesën e saj në Scaldasole, një fshat në provincën e Pavias.
Mediet italiane raportojnë se viktima quhet Anila Ruci, 38 vjeçe, e cila u vra me thikë në fyt. Ajo jetonte prej rreth një viti në banesën ku u gjet e vdekur. Me të jetonte edhe Osman Bilyhu, një i ri, të cilin gruaja ia kishte prezantuar fqinjëve dhe miqve si vëllain e vet. Edhe ai ka mbetur i plagosur, por është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Deri tani rrethanat e kësaj ngjarje janë misterioze.
Alarmin për ngjarjen fillimisht e ngriti estetistja e Rucit, pasi kjo e fundit kishte një takim.
“Kishte një takim në dyqan rreth orës 16:45. I dërgova një mesazh sepse kishte humbur edhe takimin e parë, duke e pyetur nëse donte të vinte edhe me gjysmë ore vonesë. Nuk mu përgjigj, nuk pa as mesazhin”, tha Marika Fama, drejtuesja e qendrës estetike.
“Patjetër që e njihja Anilën. Jetonte pak metra nga biznesi im dhe e shihja gjithmonë teksa dilte xhiro me qenin. Ajo kishte lënë një takim për sot që të premten e kaluar”, tha gruaja.
Estetistja ka treguar se Ruci kishte shkuar të banonte aty në muajin qershor.
“Ndërsa vëllai u bashkua me të në tetor, pas verës. Por ai nuk flet italisht. E shikoja vetëm kur dilte nga shtëpia dhe ecte për të shkuar në lokal. Nuk e di nëse punonte”, ka treguar Fama.

Ajo ka treguar më tej se pasi Anila nuk i ka kthyer përgjigje ka shkuar në lokal për një kafe. Aty ka parë të vëllanë e viktimës i cili kërkonte ndihmë nga bashkatdhetarët e tij.
“Pashë të vëllain e saj, i cili kërkonte bashkatdhetarë pasi nuk di italisht, për të kërkuar ndihmë, por nuk e kuptova se çfarë po ndodhte dhe u ktheva në dyqan. Pastaj pashë ambulancën e ardhur të cilët morën vëllain ndërsa para apartamentit vendosën shirita”, tha ajo.
Estetistja ka thënë se vëllai nuk kishte shenja gjaku.
Shkaqet e kësaj ngjarjeje janë të paqarta. Hetuesit po hetpjnë për zbardhjen e rrethanave.