Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u shpreh sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrat me Shqipërisë dhe Maqedonisë se dy vendet meritonin hapjen e negociatave pasi i kanë kryer të gjitha detyrat.

Duke folur në përfundim të samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor ai u shpreh se “Serbia ishte mjaft mbështetëse për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ashtu siç ishin edhe shumë vende. Por edhe njëherë asgjë nuk ndodhi. Miqtë tanë nga Shkupi dhe Tirana e meritonin nisjen e negociatave dhe do ta marrin sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk është një kërkesë formale, por dy vendet kanë bërë gjithçka në raport me rregulloren europiane. Qytetarët e dy vendeve e meritojnë këtë”.

Sipas Vuçiç “në qoftë se bëhet një analizë e bashkëpunimit tonë me BE-në në këto katër muaj Serbia ka rritur shkëmbimet tregtare me BE-në më shumë se 30%. Këtë vit do arrijmë në 40 miliardë euro që nuk është edhe aq e vogël. Ne jemi mirënjohës Michel, Borel dhe komisionerit që na ka mbështetur në këtë rrugëtim ndaj BE-së. Diskutuam edhe propozimin e Macron që do të thotë krijimi i një komuniteti të ri politik europian. Është e vetmja mënyrë për ne që të dëgjohemi, dhe është një mënyrë e mire për ne që të dëgjohemi më shpesh”.

“Dua të kujtoj që ka ndodhur 4 muajt e fundit sipas të dhënave që kam marrë nga shërbimet e mia, 2629 artikuj që janë shtypur në median europiane për Serbinë pas sulmit rus. Artikuj që thonin se Serbia po vë në rrezik gjithë Ballkanin Perëndimor duke vendosur trupa dhe duke rrezikuar Bosnjen dhe të ashtuquajturën Kosovë. A keni parë ndonjë ndjesë të vetme për ato media me të cilat janë ekspozuar popujt e BE-së”.