FIER – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, u ka bërë apel autoriteteve vendore që të japin më shumë ndihma për fëmijët në nevojë. Ai ka deklaruar se në vendin tonë ka shumë fëmijë në nevojë dhe duhet të ketë një sensibilizim nga ana e të gjithëve.

“E vërteta është se në këtë vend ka tepër fëmijë në nevojë të skajshme, shumë viktima të rrethanave tragjike, nga dhuna në familje te trafikimi, abuzimi apo situata të tjera të tmerrshme. Është e rëndësishme që institucionet t’i dyfishojnë përpjekjet për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e tyre”,- tha ai. 

Wollfarth tha nga qyteti i Fierit se prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë të mbështesë përpjekjet institucionale për të rritur mbrojtjen e fëmijëve dhe gëzimin e plotë të të drejtave të tyre të njeriut.

Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, prezenca e OSBE-së në Shqipëri ndihmoi fëmijët në nevojë urgjente, në disa qytete, duke i pajisur me mjete themelore jetese dhe shkollimi. Sendet e dhuruara përfshinin ushqime, pajisje shkollore, lodra dhe veshje dimërore dhe iu dorëzuan punonjësve socialë dhe familjeve të fëmijëve, gjatë vizitave të zhvilluara nga Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth dhe punonjës të tjerë të Prezencës.