Në ditët e sotme fjala krizë artikulohet shumë shpesh dhe duket se është kthyer në një refren të përditshëm që dëgjohet kudo në biseda tavolinash, në debate televizive, në deklaratat për shtyp të opozitës etj.

Togfjalëshi krizë ekonomike mbart një konotacion negativ për vetë faktin se krijon një klimë mosbesimi si tek konsumatori ashtu dhe tek biznesi. Fakti se dy fqinjët tanë (me të cilët kemi shkëmbimet më të mëdha financiare) Greqia dhe Italia janë prekur njëri më rëndë dhe tjetri pak më lehtë nga kriza nuk është në favor të ekonomisë së brishtë shqiptare.

Si një vend në zhvillim Shqipëria, vitet e fundit, ka ngadalësuar rritjen ekonomike, gjithsesi faktor pozitiv në këtë drejtim duhet të shihet fakti se ekonomia jonë është ende në rritje në një kohë, kur kontinenti i vjetër dhe vendet e eurozonës kryesisht po përballen me efektet negative që po shkakton situata e vështirë ekonomike e krijuar në Greqi, Itali, Spanjë, Portugali etj.

E në këtë situatë të vështirë të krijuar vendi ynë nuk mund të mbetet imun. Një fakt të tillë e pranon edhe kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Durrës, Andrea Xhavara, por ai thekson se media duhet të tregohet e kujdesshme sa herë përmend fjalën krizë. “Biznesi është duke kaluar vështirësi ekonomike në këtë periudhë dhe këto vështirësi krijohen nga disa faktorë”,- thotë ai.

Duke qenë se si kryetar i kësaj dhome është në kontakte me shumë biznesmenë Xhavara njeh nga afër shumë prej problemeve me të cilat po përballen ata. Ai pranon se sektori i ndërtimit duket se është më i prekur nga vështirësitë financiare dhe mungesa e likujditetit.

Sipas tij me sektorin imobiliar u abuzua sepse u ndërtua më tepër nga ç’duhej dhe tashmë kur kërkesa e qytetarëve për blerjen e apartamenteve të reja është ulur ndjeshëm, nevojat për të pasur një shtëpi të dytë duket se janë plotësuar deri diku, bankat kanë reduktuar ndjeshëm dhënien e kredive dhe qytetarët stepen të blejnë përsa kohë çmimet mbeten të larta, sektori imobiliar po përjeton ditë të vështira.

Duke mos pasur mundësi financiare firma e ndërtimit paguan punimet e ndryshme hidraulike, elektrike, hidro-sanitare etj përmes kleringut, por në këtë rast ajo nuk bëjnë gjë tjetër veçse përcjell, transmeton vështirësitë e saj tek bizneset e tjera”,- thotë Xhavara. Sipas tij kjo është një zgjidhje afatshkurtër e jo afatgjatë

Mungesa e likujditeteve i ka shtyrë firmat e ndërtimit të operojnë përmes kleringut, por siç thekson Xhavara kjo është një zgjidhje e përkohshme dhe jo e përhershme, sepse nuk mund të vazhdohet gjatë në këtë mënyrë.

“Duke mos pasur mundësi financiare firma e ndërtimit paguan punimet e ndryshme hidraulike, elektrike, hidro-sanitare etj përmes kleringut, por në këtë rast ajo nuk bëjnë gjë tjetër veçse përcjell, transmeton vështirësitë e saj tek bizneset e tjera”,- thotë Xhavara.

Ndërsa nuk preferon të përdorë fjalën krizë, sepse siç shprehet dhe vetë nuk duhet të përdoret kjo fjalë përsa kohë ekonomia jonë vazhdon të shënojë tregues pozitivë në rritjen ekonomike kreu i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Durrës vlerëson se klima e mosbesimit step konsumatorët dhe i bën ato më të kursyer në shpenzimet e tyre dhe nga ana tjetër nuk inkurajon mjaftueshëm biznesin për të bërë investime të reja.

Vendi ynë është i rrethuar nga dy shtete të cilat aktualisht janë dy ekonomi të rrezikuara dhe që po përballen me një krizë të përgjithshme të shtrirë në shumë sektorë. “Kjo gjë domosdoshmërisht reflektohet edhe në vendin tonë, qoftë me uljen e nivelit të shkëmbimeve tregtare, qoftë me nivelin e remitancave, që vit pas viti janë pakësuar, qoftë edhe me efektin psikologjik që krijohet tek shoqëria jonë dhe frikën për të ardhmen, për ruajtjen e vendit të punës apo nivelit të të ardhurave që çdo familje siguron sot”,- thotë Xhavara.

Në të njëjtën kohë kreu i dhomës së tregtisë dhe industrisë nënvizon faktin se Durrësi për vetë pozicionin e favorshëm gjeografik, portin më të madh në vend dhe zhvillimin e sektorit të turizmit mbetet një qytet që vazhdon të thithë interesimin e bizneseve të huaja për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.