DURRES, 30 prill 2013 – Sezoni turistik në Durrës rrezikon të përballet me një sërë problematikash. Zyrtarisht ai çelet më 15 maj dhe masat e marra për të garantuar kushte komode, pastërti dhe higjenë për turistët dhe pushuesit janë ende larg.
Ndërmarrja Komunale e plazhit është i vetmi institucion i angazhuar në drejtim të pastrimit, por puna e bërë prej saj nuk mund të zgjidhë të gjitha problematikat që konstatohen në terren në këtë prag sezoni.
Angazhimi në fushatën zgjedhore i shumë pushtetarëve vendorë duket se ka dhënë impaktin e saj, në indiferencën që po tregohet nga strukturat përkatëse për të organizuar punën për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Në të tilla kushte, më të penalizuarit janë bizneset që operojnë në zonat turistike. Në një prenoncim për Agjensinë e lajmeve “Dyrrah”, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Andrea Xhavara, rendit disa nga kërkesat e bizneseve të cilat do të ndihmonin në hartimin e strategjive të veçanta për promovimin e turizmit në Durrës, por jo vetëm turizmit që mund të bëhet përgjatë vijës bregdetare, por edhe atij kulturor.
Sipas Xhavarës, Durrësi duhet të hartojë një ofertë turistike integrale, në të cilën të ndërthuren pozita gjeografike, natyra, historia dhe burimet njerëzore. Sipas tij janë pikërisht këto gjëra që e bëjnë Durrësin, jo vetëm një nga vendet më atraktive për të kaluar pushimet verore, por për të pasur një turizëm gjithëvjetor.
Ndaj në këtë kuadër Xhavara kërkon krijimin e një fondi, për të bërë të vizitueshëm të gjitha sitet kulturore të qarkut, me pikënisje Muzeun Arkeologjik dhe pikë fundore Kalanë e Skëndërbeut në Shën Pjetër.
“Kordinimi nga qarku, prefektura, bashkitë e komunat si dhe donatorët privatë e të huajt, duhet të ndihmojnë në krijimin e një pakete promovuese të ofertës turistike të titulluar “Durrësi”, brenda së cilës çdo turist gjen atë çfarë kërkon”,- tha Xhavara.
Sipas tij sektori i turizmit ka nevojë për mbështetjen e infrastrukturës ligjore e institucionale, që duke u bazuar në ligjin “Për turizmin” të krijojë hapësira në pushtetin vendor për organizimin e strukturave dhe burimeve njerëzore e financiare.
Ngritja e një Komiteti për Turizmin, që të funksionojë përgjatë gjithë vitit është një tjetër kërkesë që biznesi privat ka. Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, mirëfunksionimi i Komitetit për Turizmin, do të shërbente si koordinues në drejtim të një plani strategjik në nivel qarku, në të cilën institucionet vendore e qëndrore në bashkëpunim me biznesin do të punonin për nxjerrjen në pah të problematikave që shoqërojnë aktualisht turizmin, të cilat më pas do të përmirësonin dukshëm nevojat.
Në plazhin e Durrësit operojnë mbi 100 hotele, si dhe 1000 banesa private që shërbejnë për akomodimin e pushuesve. Investimet private të realizuara në vite në këtë drejtim arrijnë shifrën rreth 5 miliard euro. Të ardhurat që gjenerojnë nga turizmi vetëm në Durrës sipas statistikave kapin shifrën 150 milion euro në vit.
Ndaj dhe më të drejtë përfundon Xhavara nga ana e biznesmenëve kërkohet më shumë angazhim në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës publike, shërbime të cilat do të thithnin jo vetëm një numër akoma më të lartë turistësh, por Durrësin do ta kthenin në një qytet konkurues me destinacionet më të preferuara turistike në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





