Sinjali i shërbimeve sekrete shqiptare jashtë vendit për nisjen e misionit të kthimit në atdhe të Xhevdet Mustafës së bashku me një grup diversantësh ngriti në këmbë të gjithë efektivat ushtarake të vijës bregdetare. Një dëshmitar i atyre kohërave dhe njëkohësisht një nga përgjegjësit kryesor të ruajtjes së kufirit tregon ato muaj të lodhshëm kur 10 mijë trupa qëndruan në gatishmëri nr.1 për të mbrojtur atdheun nga një grusht diversantësh. Në një intervistë për gazetën “Dyrrah”, Fitim Hakorja, komandanti i regjimentit të artilerisë së bregdetit në Durrës, rrëfen se si ka kryesuar për tre muaj me radhë gatishmërinë në shkallën më të lartë përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Kepi i Rodonit deri tek Kalaja e Turrës. Plot katër breza me ushtarë e rezervistë ruanin dhe mbikëqyrnin 24 orë në 24 gjithë gjatësinë e vijës sonë bregdetare. Artileria e rëndë ishte në gatishmërinë më të lartë. Ushtria ishte angazhuar sikur vendi po bëhej gati për luftë, pasi duhej ruajtur me çdo kusht jeta e liderit komunist dhe regjimi i asaj kohe. Krahas shkelësve të kufirit siç ishin diversantët e trajnuar nga agjencitë e spiunazhit të vendeve të huaja, Hakorja rrëfen se ujërat shqiptare janë cenuar disa here, por ato mbaheshin sekret. Madje, në një rast, shkelja e kufirit është bërë nga Ministria e Mbrojtjes që në atë kohë bashkëpunonte me kontrabandistët e huaj. Historia e çantës me dollarë të gjetur në bregdetin e Durrësit, zbulimi i veprimtarisë së paligjshme të dikasterit të Mbrojtjes, mbledhja e materialeve propagandistike të hedhura nga avionët dhe anijet e huaja, apo takimet me ministrat e atëhershëm si Haxhi Lleshi apo Beqir Ballukun nxjerrin në dritë detaje që të befasojnë, për më tepër kur sjell ndërmend vitet kur janë realizuar.

Keni qenë drejtues i regjimentit të artilerisë bregdetare të Durrësit në periudhën e zbarkimit në Divjakë të grupit të Xhevdet Mustafës. Ç’kujtoni nga ajo periudhë?

Xhevdet Mustafa pritej të dilte diku në bregdetin e Durrësit. Asokohe unë isha komandant i regjimentit të artilerisë së rëndë bregdetare me qendër në Durrës. Ishte viti 1982. Në zyrë më vjen radisti dhe më përcjell fonogramin që kishte ardhur nga Ministria e Mbrojtjes. Ishte tepër sekret. Bëhej fjalë për marrjen e masave të shpejta dhe vendosjen e efektivave të disa brigadave të regjimentit tonë në gatishmëri numër një.

Aty ishte cilësuar se në bregdetin e Gjirit të Lalëzit, që gjendet në pjesën veriore të Durrësit, do të zbarkonin një grup diversantësh të kryesuar nga Xhevdet Mustafa. Këtë emër e dëgjoja për herë të parë. Nuk dija asgjë për të dhe as aktivitetin e tij. Ministër i Mbrojtjes në atë kohë ishte Kadri Hazbiu, ndërsa ministër i Brendshëm qe Feçor Shehu.

Përmes kanaleve sekrete të komunikimit na u tha se misioni i këtij grupi diversantësh ishte të asgjësonte udhëheqësin, Enver Hoxhën dhe të gjitha informacionet ishin marrë përmes kundërzbulimit dhe shërbimeve agjenturore shqiptare në mërgim. Mustafa ishte nga Durrësi, por ishte arratisur vite më parë.

Lajmi i mbërritjes së një grupi diversantësh që kishin për detyrë të eleminonin Enver Hoxhën, vë në alarm forcat ushtarake detare. Ishte viti 1982 kur Fitim Hakorja, komandanti i regjimentit të artilerisë së bregdetit në Durrës, së bashku me 10 mijë ushtarë e rezervistë qëndrojnë në gatishmëri numër një duke monitoruar pa ndërprerje vijën bregdetare. Ky ishte operacioni më i gjatë dhe më i lodhshëm në terren në të cilin Hakorja ka marrë pjesë 

Ai e njihte shumë mirë vijën bregdetare ndaj edhe ardhja e tij me misionin për të vrarë kryetarin e shtetit u vlerësua shumë. Ministria e Mbrojtjes aktivizoi të gjitha forcat ushtarake si: regjimentin bregdetar, brigadat e Durrësit, Shijakut, Sukthit, Manzës, tankeve në Vorë etj. Për tre muaj u vendosëm në gatishmëri numër një.

Pra bëhet fjalë për aktivizimin e shumë forcave efektive dhe rezerviste?

Situata dhe informacionet që erdhën nga agjentura shqiptare jashtë vendit u vlerësuan shumë. Nuk bëhej shaka me gjëra të tilla. Rreth 10 mijë ushtarë dhe rezervistë u mobilizuan duke krijuar gardhin e pakapërcyeshëm. Vigjilencë e gatishmëri numër 1, ditën e natën. Gjiri i Lalëzit u vu nën kontroll pëllëmbë për pëllëmbë.

Aty niste brezi i parë i rrethimit, kurse brezi i katërt u vendos në Vorë, diku tek Ura e Gjolës. Dy brezat e para kishin një largësi 200 metra prej njeri-tjetrit. Sipas informacioneve, Xhevdet Mustafa dhe grupi i tij për të depërtuar në Tiranë do të ndiqnin itinerarin e zbarkimit në Gjirin e Lalëzit dhe më pas do t’i drejtoheshin grykës së Maminasit për të dalë në Vorë.

Armatimet personale të ushtarëve dhe rezervistëve ishin pushka, pistoleta dhe automatiku, ndërsa artileria kishte dalë në pozicionet e saj për të hapur zjarr. Bregdeti kontrollohej në çdo metër nga radarë. Ne si regjiment kishim radarë në Currila, tek Kodra e Durrësit, Kalaja e Turrës dhe Bisht-Pallë, kurse marina kishte radarët në Shetaj, fshat fundor në komunën e Ishmit, Bisht-Pallë dhe Currila.

Çdo sinjal analizohej dhe regjistrohej në libër. Vija nga Kalaja e Turrës deri në Kepin e Rodonit ishte nën kontroll, ndërsa ishin ngritur mjaft postblloqe. Kjo situatë zgjati shumë, deri më 25 shtator 1982, datë, kur Xhevdet Mustafa doli në Divjakë, në anën e kundërt. Këtu mori fund edhe gatishmëria tremujore e 10 mijë efektivave, lodhja dhe ngarkesa e madhe psikologjike.

Ishin shpenzuar mijëra lekë për të mbajtur në këmbë gjithë këto forca. Ka ndodhur edhe herë të tjera që i gjithë regjimenti të kalojë në gatishmëri numër 1, por me forca më të pakta dhe me kohë shumë të shkurtër.

Forcat në terren i komandonit ju si regjiment, apo gjithçka orientohej nga Tirana?

Neve si regjiment si dhe shtabeve të brigadës së Durrësit, Sukthit e Manzës urdhrat na vinin nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kiço Mustaqi. Ai gjendej në terren në çadër. Shtabi i mbrojtjes ishte vendosur në Sukth dhe atje ne thirreshim herë pas here për të raportuar. Nga eprorët tanë na ishte bërë e ditur se në bregdetin e Gjirit të Lalëzit do të zbarkonte një grup diversant me detyra terroriste, por pa na dhënë emra konkretë.

Nuk dinim nëse bëhej fjalë për një apo disa persona, të njohur apo të panjohur nga ne. Detyrat dhe urdhrat kalonin në formë zinxhiri. Ato vinin nga Shtabi i Përgjithshëm për të gjithë ne. Për nga detyrat dhe përgjegjësitë pas Kiço Mustaqit, vinte korpusi i Tiranës me komandant Naim Muho.

Si ne, edhe shtabi i brigadës së Manzës me komandant Hasan Çelën, shtabi i Sukthit me komandat kolonel Novruz Zejnatin dhe shtabi i brigadës së Durrësit me komandant Faik Kolacin ishim në terren. Të gjithë në çadra për tre muaj pa parë shtëpinë. Ishte një situatë shumë e ndërlikuar. Opinioni publik nuk dinte asgjë, as rezervistët.

 

Kontrabanda nuk bëhej vetëm nga të huajt, por edhe nga shqiptarët, madje nga vetë drejtuesit e ministrive. Hakorja ritregon histori të viteve të shkuara, kur u kap një skaf i kontrabandistëve, i cili operonte për llogari të Ministrisë së Mbrojtjes. Ironia e fatit qëndron në faktin se kontrabanda bëhej pikërisht me ato vende që tek ne cilësoheshin kapitaliste dhe armike të pushtetit të popullit

Ata ishin thirrur për stërvitje. Gjatë tre muajve të 10 mijë forcat kanë qëndruar në çadra, të cilat ishin disi të maskuara për të mos rënë në sy të grupit që do të zbarkonte në bregdet. Në çdo çadër kishte deri në 20-25 rezervistë. Takimet me shefin e Shtabit të Përgjithshëm i bënim çdo ditë në çadrën e tij.

Aty raportonim dhe aty merrnim detyrat e reja. Për të gjithë ne alarmi ishte i një rëndësie të veçantë, pasi kishim kaluar në gatishmëri numër një, që do të thoshte të flije me pelerinë e këpucë.

Kujtoni ndonjë rast tjetër të tillë, të shkeljes së kufirit?

Disa vite më pas, në pranverën e vitit 1989. Nuk ishin grup diversantësh por trafikantë, kontrabandistë. Sinjali i alarmit qe i vërtetë. Ishte një skaf me katër motorë me reaktorë të fuqishëm. Katërsilurusët tanë nuk e kapnin dot edhe pse lundronin me 20 milje në orë. Alarmi erdhi paralelisht për ne si regjiment bregdetar dhe për marinën ushtarake. Në det dolën 2 anije gjuajtëse të rojës kufitare dhe 8 katërsilurues.

Skafi vinte nga Italia dhe kishte cigare kontrabandë. Aktivizuam katër bateri topi në Bisht-Pallë, Currila, Shkëmbin e Kavajës dhe Kalanë e Turrës. Siluruesit kishin silurë det-det. U krijua harku i kontrollit deri në ujëra neutrale. Komandanti i flotës ishte Petrit Laftiu, kurse unë drejtoja operacionin.

Skafi i huaj, i përdorur nga kontrabandistët ishte me përmasa 18 x 6m, një mjet modern. Pas disa orë përpjekjeje mundëm t’i fusnim në harkun tonë dhe pasi i kapëm të katër skafistët i dorëzuam në Tiranë. Urdhri këtë herë erdhi nga Ministria e Brendshme, ndërsa disa ditë më pas mësuam se kontrabandën e bënte Ministria e Mbrojtjes.

Ishin cigare të preferuara në Perëndim. Ata e kishin këmbyer mallin, cigaret, në ujërat neutrale. Nuk ishte rasti i parë, por këtë herë gjërat nuk kishin shkuar si duhet. Gjatë shkëmbimit u kishte rënë në det një valixhe me dollarë. Atë e gjetën disa çobanë në bregun e Kallmit, në perëndim të qytetit të Durrësit, të cilët e dorëzuan më pas në degën e brendshme.

Jo shumë kohë më pas u mësua se qeveritarët shqiptarë kishin bërë kontrabandë me të huaj, rast i pabesueshëm për atë kohë. Për shumë vite na është dashur të mbledhim në det materiale, fletushka apo edhe çamçakëzë që hidheshin qëllimisht nga avionët e huaj. Fletushkat kishin përgjithësisht përmbajtje fetare, por në asnjë rast nuk ranë në dorë të qytetarëve. Nuk ishte hera e parë që ndodhte kështu. Roja bregdetare dhe marina kanë ndeshur në fenomenin e agjitacioneve me propagandë fetare dhe politike disa herë.

Nuk e them dot me saktësi se cilët ishin më shumë të interesuar për të bërë këtë lloj propagande, por në bazë edhe të disa informacioneve nga shërbimet e inteligjencës brenda e jashtë vendit, rezultonte se Vatikani ishte i interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shkeljet, në jo pak raste, justifikoheshin si gabime njerëzore nga anijet e peshkarexhat e huaja, ndërsa ka pasur raste edhe të ndikimit të motit.

Për shkak të dallgëve apo erërave të forta ka pasur raste që në ujërat shqiptare janë zënë kryesisht peshkatore e barka, të cilat kanë hyrë në ujërat tona për shkak të erës së fortë. Në raste të tilla, në bazë edhe të marrëveshjeve me fqinjët, ato janë ndihmuar dhe kthyer në portet e tyre. Ujërat tona patrulloheshin pa ndërprerje, ditë e natë, në mot të qetë dhe të trazuar. Regjimenti ynë ishte në funksion të mbrojtjes bregdetare. Ndihmonim dhe mbështesnim edhe flotën në veprime luftarake të mundshme.

Larghedhja ishte 127 km deri në 147 km, pra çdo gjë nën kontroll të plotë të hapësirës ujore. Deri në ujëra neutrale shtrihej monitorimi i pandërprerë. Gatishmëria në çdo çast ishte në nivelet më të larta dhe kjo nuk diskutohej asnjëherë dhe për asnjë arsye.

Sot gjërat kanë ndryshuar dhe kemi të tjera situata, tjetër klimë politike në rajon. Por atëherë gjërat ishin krejt ndryshe. Vigjilenca qe në nivelet më të larta, ndaj edhe shkeljet e qëllimta të kufirit detar kanë qenë të pakta.

Ju mendoni se bregdeti shqiptar ka qenë i tëri nën kontroll dhe siguri të plotë?

I gjithë bregdeti nga rëra deri në ujërat neutrale monitorohej çdo ditë. Unë mund të flas për sektorët dhe gjeografinë e zonës ku është shtrirë detyra jonë ushtarake, por jam i sigurt se e njëjtë ka qenë situata gjithandej, në 180 km vijë bregdetare. Ishin katër regjimente.

Artileria bregdetare regjimentale e Durrësit ishte ndër kryesoret për shkak të pozicionit dhe faktit se kryeqyteti ishte shumë afër. Më pas ishte regjimenti Fier-Divjakë-Vlorë, regjimenti Vlorë-Sarandë dhe ai Lezhë-Velipojë. Artileria e rëndë bregdetare kishte topa 130 mm, 120 mm dhe 152 mm. Larghedhja ishte 127-147 km mbrojtje bregdetare.

Në pika të tilla si tek Kalaja e Turrës, Shkëmbi i Kavajës, Bisht-Pallë e Currila kishte topa 130 mm dhe me drejtim elektrik. Bateri bregdetare kishte në Rodon, Hetaj, Bizë, Shkafane, Bisht-Pallë, Currila, Shkëmbin e Kavajës, Karpen dhe Kalanë e Turrës, të gjitha me teknikë të përparuar dhe me katër komplete luftarake.

Pajisjet ishin me teknikë të motorizuar dhe me radar. Tani, e gjithë ajo pasuri ushtarake, teknologji e armatim së bashku me prapavijën dhe sektorët ndihmës nuk janë më.

A kishte regjimenti juaj kuadro të zotë për të drejtuar një mbrojtje në rast se bregdeti do të bëhej objekt i një sulmi nga jashtë?

Sot gjërat shikohen me një sy tjetër. Nuk dua të marr përsipër të flas për teknologjinë ushtarake shqiptare dhe teknologjinë e ushtrive të huaja. Kjo është njëra anë, pse jo shumë e rëndësishme deri edhe përcaktuese e fateve të një përballjeje luftarake. Por nga ana tjetër pa potenciale ushtarake të kualifikuara jo vetëm lufta, por as stërvitja nuk do të kishte sukses.

Shtabi i regjimentit të Durrësit kishte kuadro shumë të zotë, shumë të aftë si Aleksandër Bellani, shef zbulimi, Vladimir Duda, shef operativ, Myzafer Ismolli, shef personeli, Gëzim Islami, Eqerem Hysolaka, shef stërvitje, Mehmet Zeqiri e të tjerë kuadro të kualifikuar.

Keni njohu disa figura të nivelit të lartë ushtarak, një pjesë e të cilëve më pas u shpallën armiq nga Enver Hoxha apo edhe u ekzekutuan. Çfarë kujtoni nga njohjet me ta?

Kam njohur nga afër Kadri Hazbiun, Beqir Ballukun, Feçor Shehun, Petrit Dumen, Haxhi Lleshin, Alfred Moisiun dhe të tjerë. Me një pjesë jam takuar apo edhe kemi qëndruar gjatë, me të tjerë takimet kanë qenë zyrtare, të shkurtra. Edhe në atë kohë nuk kam qenë i bindur që Beqir Balluku ka qenë armik.

Në vitin 1973 ai ushtronte funksionin e ministrit të Mbrojtjes. Ishte periudha e ftohjes së tij me Enver Hoxhën dhe nga dita në ditë pritej të vihej në pranga. E kam njohur në kohën që isha student në Shkollën e Bashkuar. Për shkak se përfundova studimet me mesatare 10, diploma m’u dha me ceremoni pikërisht nga Beqir Balluku.

Në gushtin e vitit 1973 e pashë tek shtëpia e pritjes në Peshkopi. Po shkoja në fshatin tim të lindjes, në Brezdhan. Sapo iu afrova e përshëndeta si ushtarak. Më njohu dhe ma bëri me dorë që unë të afrohesha drejt tij. Për një orë pimë kafe dhe konjak në lokalin e turizmit. Ishte shumë i interesuar për gjithçka që kishte të bënte me sigurinë e vendit, me artin ushtarak, shkollimin e të rinjve dhe çdo gjë. Më pyeti deri në imtësi se si ecte shërbimi dhe më kërkoi të isha gjithnjë i përkushtuar për detyrën.

U ndamë miqësisht dhe për mua qe takim shumë i mirëpritur. Kjo qe hera e fundit që e pashë ministrin. Ai jetonte gjysmë i izoluar, ndonëse ne nuk kishim dijeni. Në tetor e arrestuan. Sapo u ndava prej tij dhe mora rrugën për në Reshtapaj katër civilë më ndaluan. Ishin kalecë të degës së brendshme që më kishin ndjekur të gjitha lëvizjet dhe takimin me ministrin e Mbrojtjes.

U tregova se jam oficer dhe se po shkoja në shtëpinë e babës në Brezdhan. Ata më kthyen në Peshkopi, në degën e brendshme dhe pasi më morën në pyetje gjerë e gjatë më lanë të lirë.

Cili është kujtimi juaj në takimin me Haxhi Lleshin?

Haxhi Lleshi pati një takim me intelektualë në Durrës. Me të përfunduar pyeti nëse kishte dibranë në sallë. Më thërritën duke më treguar edhe kërkesën e kryetarit të kuvendit. Haxhiu, pasi më pyeti nga isha, ç’arsim kisha përfunduar dhe ç’njerëz kisha në familje, më pohoi se do të vinte për darkë në shtëpinë time.

Ndenjëm gjatë duke folur. Më së shumti ne të tjerët vetëm dëgjonim dhe miratonim, ndërsa ai fliste e ushqehej. Aty mësova se Haxhi Lleshi nuk kishte respekt për Tefta Camin. Lavdëronte të atin e saj për periudhën e luftës, ndërsa atë nuk e kishte me sy të mirë. Më pas nisi të tregonte për veten e tij dhe të familjes.

Kisha dëgjuar zëra që familja e tij e kishte ndihmuar shtetin, por atë natë dëgjova se ata kishin dhënë 3 mushka me flori. Madje, sipas tij, i ati i Haxhi Lleshit kishte thënë se “këto do të jenë të parat”. Ishin familje e njohur në Dibër, me ara e pasuri të madhe. Floriri që ata dhanë për shtetin është edhe nisma e hapjes së bankës së shtetit.

Ndenjëm deri vonë duke dëgjuar histori nga lufta. Por ai foli edhe për familjen e tij, madje tregoi se e kishte ndarë gruan me djalë në vitin 1983. Gruaja ishte nga Dibra e Madhe dhe i vinin ndihma fshehurazi. Pa dijeninë e Haxhiut. Këtë fakt e mori vesh para tij, Enver Hoxha i cili e kishte thërritur duke i kishte treguar çdo gjë lidhur me ndihmat. Realisht ndihmat ishin më së shumti rroba veshje dhe plaçka për shtëpi.

Me këtë rast ai e kishte ndarë gruan dhe nuk u martua më. Të paktën kështu na fjalosi në shtëpinë time. Po e dëgjonim për herë të parë. Edhe ai e pohoi se nuk e kishte zënë këtë muhabet në asnjë vend tjetër.