Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Selenicë të Vlorës, ku një 56-vjeçar, mbeti i vdekur si pasojë e një shpërthimi në banesën e tij.

Ditën e djeshme dolën disa pista për ngjarjen, ku mendohej se Dyrmish Glluçaj humbi jetën aksidentalisht, si pasojë e shpërthimit të një sobe me gaz në oborrin e banesën e tij.

Sot pas hetimeve të thelluara nga policia u zbulua lëndë plasëse në sobën me gaz dhe identifikuan se autori i ngjarjes, është i biri i viktimës.

Mato Glluçaj, 23 vjeç i cili është vënë në pranga, dyshohet se për shkak të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezës granatash, 1 armë zjarri pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje.