“Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet për Kuvendin nga atje ku ndodhet, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim”.

Kështu thuhet në rregullin e parë në draftin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votën e emigrantëve, regjistrimi i së cilit do duhet të realizohet nga ky organ.

Në projektvendimin e KQZ-së për rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë dhe përgatitjen e listës së tyre thuhet se afati për paraqitjen e kërkesës për ata që duan të votojnë jashtë fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë pas kësaj date.

Kërkesa do të kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), e cila është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin. Ky i fundit do ta ketë mundësinë ta shkarkojë versionin si në desktop, ashtu edhe në celular. Në këtë aspekt është menduar edhe siguria, pasi krijimi i llogarisë aty, sipas rastit, do të bëhet nëpërmjet përdorimit të tre faktorëve të autentifikimit.

“Njëri prej faktorëve autentifikues duhet të jetë biometrik me njohje të fytyrës (ang. face recogniton) faktori tjetër është një kod unik i përkohshëm 6 shifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit mobil dhe email, si dhe faktori i tretë është Numri Personal i Identifikimi (NID) i zgjedhësit dhe fjalëkalimi”, thuhet në projektvendim.

Një tjetër detaj i rëndësishëm edhe lista që do të dalë, e cila do të llogaritet si një listë e vetme në nivel zone zgjedhore.

“Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse”, thuhet në projektvendim.

Më poshtë, projektvendimi i plotë i propozuar nga KQZ;