Policia e Tiranës ka dokumentuar ngjarjen e ndodhur në një club nate në zonën e Saukut ku performonte të shtunën këngëtari Noizy, dhe ka vënë në pranga autorët e të shtënave me armë zjarri.

Në sajë të veprimeve hetimore u bë e mundur arrestimi i shtetasve Elson Doçaj, 27 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Tiranë; dhe Përparim Gaxhaj, 27 vjeç, lindur në Mitrovicë e banues në Londër, Angli. 

Policia sqaron se ndërmjet dy bashkëmoshatarëve ka lindur një konflikt banal me truprojat e lokalit dhe kur janë larguar me mjetin e tyre, shtetasi Elson Doçaj ka qëlluar disa herë me armë në ajër.

Uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar në vendngjarje 4 gëzhoja pistoletë 9 mm si dhe një automjet të markës “Mercedes Benz” me targa angleze FY 61 XFB.

Dy të rinjtë kanë konsumuar veprat penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, “Prishjen e Qetësisë Publike” dhe “Moskallëzim krimi”.