Nga Besart Kadia
Zbehja e ministrit Cani, është reflektim i dështimit të planit të Rilindjes së ekonomisë shqiptare. Qeveria e Rilindjes, u shkëput sa të mundej nga kryeministri Nano, një e majtë e moderuar, duke mos përfshirë asnjë ish-ministër të asaj kohe në qeveri, por kërkoi për ministër Financash, një personalitet që tërë botëkuptimin e ekonomisë e kishte të formuar dhe praktikuar në ato vite, kur ekonomia e tregut shihej si problemi. Në ato vite, mund të ketë qenë shkëlqimi i mendimit Cani, por që nuk mundet të ishte operacional, në këto vitet e fundit të tranzicionit shqiptar. Ndaj zbehja e tij është një sinjal që idetë e majta, pavarësisht strehës për të marrë vota në elektorat, nuk mundet të performojnë në pushtet.
Përpara se një guvernator banke apo ministër që merret me financat, të vijë në pushtet, investitorët bëjnë një skaner të së shkuarës, për të vlerësuar fizionominë që do të ketë ekonomia në të ardhmen. Shkëlqim Cani kur ishte në opozitë, përbetohej si profesionist se borxhi i Bodes ishte 100% i PBB-së. Kjo nuk doli asnjëherë e vërtetë, por të bën të mendosh se sa lehtë pretendenti për ministër Financash në atë kohë, me anshmëri politike sulmonte financat publike me informacion të pavërtetë për borxhin apo për papunësinë e 1 milion qytetarëve. Me marrjen e portofolit më të rëndësishëm të qeverisë Rama, Cani e shndërroi atë në një institucion më pak transparent, e thënë dhe nga raportet e FMN-së, ku jemi të fundit në rajon, dhe në një institucion më pak të rëndësishëm se ndonjëherë më parë.
Ministria e Financave, deri sot vononte publikimet e të dhënave fiskale me javë të tëra, shpesh për shkak të ngjyrës së kuqe në shifra. Ministri Cani, vetë ka pranuar se ai anashkalohej nga drejtorët vartës të tij, ku në publik është shprehur se nuk merr të dhëna në kohë dhe të detajuara nga Drejtoria e Tatimeve, Ministria e Ekonomisë së Arben Ahmetajs, i mori atij një ndër detyrat kryesore që ka të bëjë me investimet publike (por me performancë të dobët -18%, vitin që lamë pas), doganat ndërruan dy herë drejtoreshë, Crown Agents nuk iu rinovua kontrata për mungesë performance, dhe ndërkohë në debatet publike, Ministria e Financave ka shërbyer vetëm si një njësi justifikuese e vendimeve politike të ndërmarra më parë nga Kryeministri Rama, për koncesione apo marrëdhëniet e Partneriteti Publik Privat. Me tërë këto dështime, me mungesën e njohurisë për ekonominë, me barrën e të qenit i vetmi ministër i qeverisë së Adil Carçanit në qeverinë e vitit 2016, duket se ministri i shteroi mundësitë për të drejtuar financat publike, e praktikisht atë dhe me ardhjen e ministrit Ahmetaj, e drejton vetë kryeministri Rama.
Por sot nuk diskutohet nëse Rama ka nevojë për një drejtor aprovues financash, por nëse shteti ka nevojë për një ministër të rëndësishëm politik e të aftë financash, në kushtet kur borxhi publik qëndron si një mjegull në ekonomi. Një ministër i zbehtë e aprovues i kryeministrit Rama, është i rrezikshëm, ndaj zëvendësimi i tij, megjithëse i vonuar, është i mirëpritur.
Kjo në kushtet kur buxheti është rishikuar dy herë me ulje, duke mos arritur dhe vetë planet konservatore e të pasigurta të ministrit Cani. E si të mos mjaftonin këto, Cani ka qenë mbështetësi kryesor i mendimit se rritja e borxhit me 1 miliard dollarë, ishte e domosdoshme për të shlyer detyrimet e prapambetura dhe për të ulur kreditë e këqija dhe për të çuar në rritje ekonomike. Ndërkohë, kreditë me probleme mbeten 20% e totalit, ekonomia ka një rritje nën pritshmëri dhe kreditimi në vend, është sa 37% e PBB-së, nga 42% e PBB-së që ishte para tri vitesh.
Rama mund të ndryshojë ministrat e Financave, por problem nuk janë njerëzit në krye të këtyre Ministrive, por idetë e dështuara që në krye të herës që qëndrojnë pas këtyre ministrave të përkohshëm. Cani lë detyrën, në kushtet kur dy vitet e ardhshme do të karakterizohen nga ngushtimi i rripit të shpenzimeve publike dhe me rritje të pasigurisë në ekonominë vendëse. Ndërkohë nga politikat fiskale ka dështime të njëpasnjëshme, ku kryesorja mbetet taksa progresive. Kjo e fundit ishte një shfrytëzim i logjikës popullore, që të pasurit duhet të paguajnë më shumë dhe Cani bënte thirrje se ky do të ishte shpëtimi i ekonomisë dhe do të çonte në ulje të varfërisë në vend. Ndërkohë taksat e tjera, të cilat u rriten në dy vitet e fundit, janë duke performuar dobët, duke mos pasur efektin e parashikuar nga Ministria e Financave. Ndër të tjera, përpjekja e qeverisë për të vendosur formalizim të ekonomisë vendëse, çoi në tension në vend dhe dështim të këtij aksioni absurd, të pambështetur në strategji e studim paraprak. Anshmëria e përdorimit të pushtetit të shtetit në ekonomi, vihet re në ndryshimet e politikave fiskale pa konsultim, apo në publicitetin e pafund për ndëshkimet ndaj bizneseve vendëse dhe injorimi i faktit që kemi humbur 35 vende në Doing Business, vetëm vitin e shkuar. Zbehja e Canit është në fakt zbehja e Rilindjes dhe kryeministrit Rama.
Marrë nga “Mapo”