Gjurmë kolosale të lëna nga ajsbergë gjigantë janë zbuluar në fundin e Detit të Veriut nga një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë të udhëhequr nga British Antarctic Survey. Ato datojnë rreth 18 mijë vjet më parë, në fundin e Epokës së fundit të Akullit, dhe japin një pasqyrë tronditëse mbi të shkuarën klimatike të Tokës, por edhe paralajmërojnë për atë që mund të ndodhë me Antarktidën për shkak të ngrohjes globale.

Zbulimi u bë falë të dhënave sizmike që fillimisht ishin mbledhur për kërkime të naftës dhe gazit. Studiuesit identifikuan brazda të mëdha, disa kilometra të gjera, të gdhendura nën shtresat e sedimenteve, të krijuara nga lëvizja e ajsbergëve që dikur rrëshqisnin mbi tokën e mbuluar me akull, e cila përfshinte Britaninë dhe Skandinavinë.

Në atë periudhë, pjesa jugore e Detit të Veriut nuk ishte nën ujë, por tokë që lidhte Britaninë me pjesën tjetër të Evropës. Në atë peizazh të ngrirë u formuan dhe u nisën ajsbergët që tani kanë lënë gjurmë të qarta mbi shtratin detar – gjurmë që ngjasojnë me ato që lënë sot akujt në Antarktidë.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se gjurmët e ajsbergëve bëhen gjithnjë e më të vogla dhe të dredhura, duke treguar se ata shpërbëheshin ngadalë ndërsa temperaturat rriteshin – një proces që përngjan me shpërbërjen e ajsbergut A68a në vitin 2021.

Sipas shkencëtarëve, ky zbulim është një mjet i vlefshëm për të kuptuar më mirë ndikimet e shkrirjes së akujve në Groenlandë dhe Antarktidë, si dhe për të përmirësuar parashikimet për rritjen e nivelit të detit në të ardhmen. Historia po përsëritet – dhe ajo që ndodhi 18 mijë vjet më parë, mund të jetë duke ndodhur sërish.