Mbi 7 mijë rrënjë kanabis të kultivuara janë gjetur ditën e sotme në fshatin Reç i Ri, Njësia Administrative Velipojë.

Hita ka pezulluar nga detyra Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër, Shefin e Stacionit të Policisë Velipojë dhe Ndihmësspecialistin e Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët.

Njoftimi: 

U gjetën të kultivuara 7446 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Reç i Ri, Njësia Administrative Velipojë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pezullon nga detyra Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër, Shefin e Stacionit të Policisë Velipojë dhe Ndihmësspecialistin e Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët.

Nis hetimi disiplinor dhe për 2 punonjës të tjerë, pjesë e grupit të kontrollit të territorit.

Pas informacionit të ardhur në postën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për kultivimin e mijëra bimëve narkotike, në fshatin Reç i Ri, Velipojë, në një territor të hapur, lehtësisht të verifikueshëm në zonë fushore, u organizua menjëherë puna për asgjësimin e tyre, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të kryer një hetim të thelluar administrativ.

Për mangësi të konstatuara në mospërmbushjen e detyrave, filloi hetimi disiplinor për 5 punonjës policie, konkretisht për:

-Kryekomisar B. L., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër, për të cilin është vendosur pezullimi disiplinor nga detyra;

-Nënkomisar Z. M., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë, gjithashtu i pezulluar nga detyra;

-Inspektor S. K., me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët narkotike, i pezulluar nga detyra.

Më tej, ka nisur hetimi disiplinor, pa pezullim nga detyra, për Nënkomisar D. N., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë dhe Inspektor E. I., me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë në Stacionin e Policisë Velipojë, të dy pjesë e grupit të kontrollit të territorit.