DURRES– Viktima e vrasjes së ndodhur në Kavajë katër ditë më parë, Artur Kollçaku, i vdekur pas sulmit me thika, është përkrahur nga Sajmir Fikaj, një prej personave që mbeti i plagosur në të njëjtën ngjarje. Policia e Tiranës bëri publik dje një version zyrtar në lidhje me përleshjen me thika që ndodhi mbrëmjen e 24 dhjetorit në Kavajë, ku mbeti i vrarë 38-vjeçari Artur Kollçaku dhe u plagosën 3 të tjerë. Grupi hetimor mori analizat e të gjitha provat shkencore të gjetura në vendin e ngjarjes, duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe autorët e krimit.
Nga analizimi i gjakut mbi trotuarin ku ndodhi ngjarja, që u përkisnin të katër personave të përfshirë në konflikt, gjurmët e gjetura mbi 4 thikat e përdorura, krahasimi i plagëve më trupin e viktimës dhe të plagosurve, rezulton që edhe viktima ka bashkëpunuar me një prej të plagosurve, ashtu si edhe autori, Elvis Kollçaku. “Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve Ervis Kollçaku dhe Aldo Gryka u dërguan në Prokurorinë e Kavajës, me akuzat “vrasje e kryer në bashkëpunim”, në dëm të Artur Kollçakut dhe “vrasje e mbetur në tentativë”, në dëm të Sajmir Fikajt. Ndërsa shtetasi Sajmir Fikaj akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë”, në dëm të Ervis Kollçakut dhe Aldo Grykës”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës. Burime nga grupi hetimor thanë se, nisur nga provat shkencore, si dhe deklarimet e të plagosurve e dëshmitarëve, kanë ndërtuar edhe dinamikën e ngjarjes.
SKEMA E NGJARJES
Rreth orës 19:53 të ditës së hënë, në lagjen Nr.3 të Kavajës, pas një konflikti midis Ervis Kollçakut, 32 vjeç dhe Aldo Grykës, 20 vjeç (shokë me njëri-tjetrin) dhe Artur Kollçakut, 38 vjeç, ka mbetur i vrarë ky i fundit, i goditur 12 herë me thikë. Nga verifikimi i plagëve të viktimës ka rezultuar se ai është goditur nga dy thika të ndryshme, që u përkasin dy miqve që kanë bashkëpunuar në krim, Kollçakut dhe Grykës. Shtetasi Sajmir Fikaj, 39 vjeç, i cili kishte miqësi me viktimën, kur ka parë sulmin ndaj Kollçakut, është futur në mes për të shuar sherrin, por edhe ai ka nisur të godasë me thikë. Nga sulmi ka mbetur i vrarë 38-vjeçari Artur Kollçaku dhe janë plagosur rëndë tre të tjerët. Sipas grupit hetimor, rezulton se edhe viktima ka goditur me thikë shtetasit Ervis Kollçaku dhe Aldo Gryka, të cilët po ashtu janë goditur edhe nga arma e ftohtë e shtetasit Sajmir Fikaj. Ndërsa edhe ky i fundit ka mbetur i plagosur nga dy thika të ndryshme, që i kishin në përdorim Kollçaku e Gryka.
Të akuzuarit
1. Ervis Kollçaku, 32 vjeç, “vrasje në bashkëpunim”, në dëm të Artur Kollçakut dhe “vrasje e mbetur në tentativë”, në dëm të Sajmir Fikajt
2. Aldo Gryka, 20 vjeç, “vrasje në bashkëpunim”, në dëm të Artur Kollçakut dhe “vrasje e mbetur në tentativë”, në dëm të Sajmir Fikajt
3. Sajmir Fikaj, 39 vjeç, “vrasje e mbetur në tentativë”, në dëm të Ervis Kollçakut e Aldo Grykës