Ish-ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim, e cila e mbylli mandatin në vendin tonë në vitin 2023, si zëvendësndihmës sekretarja kryesore e shtetit për Evropën dhe Euroazinë, i është caktuar detyra për përpilimin e një liste të re përjashtimesh për ngrirjen e ndihmës së huaj në Ukrainë.

Sipas Politico, Yuri Kim së bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit të Shtetit, po përpilojnë një listë të përjashtimeve shtesë për ngrirjen e ndihmës së huaj për Ukrainën, që mund t’i japë vendit akses në disa asistenca ekonomike dhe të lidhura me sigurinë që aktualisht është pezull.

Konkretisht Yuri Kim është ngarkuar me përpilimin e një liste programesh nga zyrat në të gjithë departamentin që kanë të bëjnë me Ukrainën. Nëse miratohen, financimet do të shkojnë përtej atyre që Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka lejuar në mbarë botën.

Kongresi ka ndarë më shumë se 4 miliardë dollarë deri më tani për një ndihmë të tillë për ushtrinë e Ukrainës. Pjesa më e madhe e saj është ndarë për një sërë shpenzimesh, nga marrja e armëve te pajisjet si radiot. Disa nga këto kontrata zgjasin vite, duke e bërë të vështirë të verifikohet apo llogaritet saktësisht se sa është shpenzuar.

Në një nivel praktik, është e pasigurt që ndihma shtesë për Ukrainën do të arrinte në Kiev edhe me përjashtime të reja, duke pasur parasysh se heqjet e miratuara tashmë për ndihmën humanitare janë penguar.