Leo Mesi shënoi dy gola në fitoren e Barcelonës 5-0 ndaj Selta Vigos të shtunën mbrëma. Megjithatë, vëmendja e mediave spanjolle u përqendrua te finalizimi që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 24-t. E kjo jo për faktin që qe një gol spektakolar, por për një gjest të argjentinasit pas shënimit. 29-vjeçari bëri me dorë shenjën e telefonit duke iu drejtuar dikujt në tribunën e “Kamp Nout”. Mediat menjëherë spekuluan se argjentinasi me këtë gjest sinjalizoi drejtuesit e klubit për rinovimin. Pas kureshtjes dhe hamendësimeve të ndryshme që lindën mes tifozëve në rrjetet sociale pas takimit, Barça i kërkoi “Pleshtit” të shpjegonte domethënien e atij veprimi.

Mesi ka rrëfyer se “telefonata” e tij ka qenë për një familjar të tijin (një nip), të cilin e kishte telefonuar gjatë gjithë ditës së ndeshjes për ta uruar për një gëzim familjar dhe ky i fundit nuk ia kishte hapur telefonin. Meqë në “Kamp Nou” ishte vëllai i “fajtorit” të gjithë kësaj meseleje, Rodrigo, bashkë me djemtë e tij, sulmuesi iu drejtua atyre duke bërë shaka.