DURRES – Qyteti i Durrësit është i njohur në të gjithë Shqipërinë e jo vetëm për pasuritë e shumta arkeologjike, që fsheh nëntoka e tij. Megjithëse një pjesë e mirë janë zbuluara dhe e kanë parë dritën e diellit, ndërsa të tjera janë groposur apo dëmtuar në emër të “urbanizimit modern”, qyteti antik vazhdon të na surprizojë ende.

Në zonën e Ishmit është zbuluar së fundmi një depo nëntokësore e periudhës së lashtësisë, e cila mendohet se i ka shërbyer banorëve të kësaj treve për të fshehur zahiretë ushqimore nga ekspeditat grabitqare të fiseve të tjera. Faktin interesant e zbulon gazeta “Telegraf”, e cila i referohet arkeologut të njohur Fatos Tartari.

Sipas Tartarit “kultura e kësaj zone dhe objektet arkeologjike të gjetura nga ekspeditat e bëra vite më parë, i përkasin kryesisht shekullit VII-të dhe VIII-të të erës sonë dhe këto objekte janë dëshmi e vazhdimësisë së kulturës Iliro-Arbërore”.

Objekti në fjalë është mjaft i ruajtur dhe ka një thellësi rreth 3.5m si dhe perimetër të brendshëm 2 m. Ai është i mbuluar me rrasa të gurta. Depoja e fshehtë ndodhet në afërsi të disa themeleve të banesave të lashta.

Në afërsi të depos, rreth 80m larg saj është zbuluar edhe një varr monumental i asaj periudhe. Sipas arkeologut Tartari për të përcaktuar moshën e saj do të duhen disa analiza të mënyrës së ndërtimit të mureve si dhe të gjetjeve materiale që mund të ndodhen në brendësi të saj.