Një helikopter i karabinierëve në Villanova d’Albenga, në veri-perëndim të Italisë ka zbuluar një plantacion me rreth 200 rrënjë marijuhanë, disa prej të cilave kishin arritur deri në 2 metra lartësi.

Plantacioni ishte kultivuar nga dy shtetas shqiptarë, atë e bir, që prej kohësh po mbaheshin nën mbikëqyrje dhe që përfunduan në pranga.

Dy të arrestuarit, 47 dhe 20 vjeç, u kapën teksa po merreshin me krasitjen dhe spërkatjen e bimëve.

Pas arrestimit karabinierët kanë rrafshuar plantacionin, nga i cili kanë hequr gjithsej 250 kg marijuanë që do të shpërndahej mes të rinjve të zonës.

Sipërfaqja e kultivuar ndodhej në një zonë pyjore dhe gjatë vrojtimeve karabinierët patën zbuluar edhe një vaskë artizanale ku mblidhej uji i shiut, që më pas përdorej për vaditje.