“Zëri i Amerikës” i ka kushtuar një shkrim të gjatë protestës së sotme të opozitës, që kulmoi me bllokimin prej 1 ore të akseve kryesore në të gjithë vendin.

Mirëpo, sipas “Zërit të Amerikës”, opozita po bllokon reformën në drejtësi me bojkotin e parlamentit që e ka çuar në ngërç atë.

SHKRIMI

Në Shqipëri opozita bllokoi sot për 60 minuta pesë akse rrugore kombëtare, nga ora 11.00 deri në mesditë, si pjesë e protestës së saj e cila vazhdon prej më shumë se dy muajsh për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie teknike. Policia nuk kishte dhënë leje për zhvillimin e protestave, megjithatë ajo nuk ndërhyri.

Opozita kishte zgjedhur 5 pika kyçe të qarkullimit në vend, për të lënë shenjë me formën e re të protestës së saj, të nisur që në 18 shkurt para kryeministrisë. Grupet e mbështetësve u mblodhën në një nga rreth rrotullimet e aksit jugor, pranë Lushnjes, në Veri pranë rreth rrotullimit ku bashkohen rrugët që vijnë nga Shkodra dhe Kukësi drejt kryeqytetit, në Elbasan, aksin kryesor që lidh juglindjen e vendit me Tiranën, si dhe në dy rrugët kryesore të hyrjes në kryeqytet.

Protesta nisi në orën e paracaktuar, dhe zgjati 60 minuta, aq sa ishte njoftuar. Kryetari demokrat Lulzim Basha ju bashkua protesta në një nga pikat e bllokuara në kryeqytet. I shoqëruar nga bashkëshortja ai qëndroi ulur në rrugë deri në mbylljen e protestës. Në zonat e tjera ishin të pranishëm deputetë të ndryshëm të opozitës.

Policia shqiptare nuk kishte dhënë leje për bllokimin e rrugëve, duke paralajmëruar ndëshkimin e organizatorëve dhe pjesmarrësve. Megjithatë ajo nuk ndërhyri, duke ndjekur në distancë protestuesit, ndërsa u përpoq të lehtësonte trafikun duke e devijuar në disa reste në rrugë dytësore. Gjithshka u zhvillua paqësisht dhe pa asnjë incident.

Në përfundim të saj, zoti Basha rikonfirmoi dhe një herë kushtet e opozitës “për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike, e cila do të largojë kriminelët nga institucionet, sipas ligjit të dekriminalizimit, që do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës së çdo shqiptari e çdo shqiptareje dhe, menjëherë pas kësaj, votimin dhe zbatimin e vetingut dhe reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut”.

E djathta ka deklaruar se protesta e saj do të vijë duke u përshkallëzuar dhe se nuk do të ketë tërheqje. Këtë e ripërsëriti sërish zoti Basha: “Ky është një paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore, e këtij bashkimi qytetar është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Protesta e sotme u zhvillua 24 orë para mbërritjes në Tiranë të një misioni të parlamentit europian, i përbërë nga David McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme, dhe relatori për Shqipërinë Knut Fleckenstein. Zoti McAllister është njëkohësisht dhe zëvendës presidenti i Partisë Popullore Europiane, (PPE) familjes së qendrës së djathtë, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike. Të dy eurodeputetët do të tentojnë ndërmjetësimin e një zgjidhjeje të krizës politikës. Opozita ka bojkotuar parlamentin, duke bllokuar për pasojë dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa nuk është rregistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, dhe afati tanimë ka kaluar që prej 10 prillit.