Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u shty vetëm pak minuta pas nisjes. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se punimet do të vazhdojnë nga ora 14:00.
Ajo e arsyetoi këtë duke thënë se po i pret deputetët e opozitës, që i ka ftuar të marrin pjesë në seancë. Haxhiu tha se ky është obligim kushtetues i secilit deputet.
“E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit, pra në këtë seancë të jashtëzakonshme që e kemi nisur dje”, tha Haxhiu pasi lexoi disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, opinione të Komisionit të Venecias dhe raporte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.





