3 tetor 2015 – Një grup biznesmenësh apo superparellinjsh po i bëjnë presion kryeministrit Rama që të prishet me Ilir Metën. Kështu shkruan sot Artur Zheji në një editorial te Mapo. Sipas Zhejit ky grup biznesmenësh kërkon ta shndërrojë kryeministrin në një kukull apo instrument të interesave të tyre. Pra, që kryeministri të mbështetet tek ata dhe tek asetet e tyre dhe jo te një koalicion politik, si edhe është realisht koalicioni i sotshëm Rama-Meta.

“Duke u kthyer te betejat qesharake në gotë, të Fshatit Tonë, që mjerisht nuk kanë asgjë epike, vihet re që disa grupe parallinjsh të rinj shqiptarë, që nuk jetojnë dot të papërfillur nga kryeministri, cilido qoftë ai, dhe kjo shpërfillje, por jo hakmarrje ndaj bizneseve të tyre, është një meritë e madhe e Ramës, duan sot dhe ushtrojnë trysninë e tyre që të kenë më shumë “hapësira jetike”, për një mbrothësim të mëtejshëm të parave të tyre, të cilat kriza dhe “shpërfillja” kryeministrore i ka mehur pak si shumë. Atyre pra, SuperParallinjve, u duhet një Kryeministër i dobët, me një shumicë në fije të perit, e pra, i pengmarrë nga loja e brishtë e ekuilibrave, të cilët ata, në rastin e një Kryeministri të dobët, këta ekuilibra do të mund t’i komandonin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të tërthortë”- shkruan Zheji.

Më tej në shkrim ai ngre pyetjen nëse për Ramën do të ishte më e favorshme të kishte partner këta biznesmenë apo Ilir Metën:

“Më konkretisht, çështja shtrohet: Është më mirë që Kryeministri Rama të kushtëzohet nga aleati politik Ilir Meta (me gjithë sikletin që të kesh aleat Ilir Metën, dikur ish-shef, ish-mik, ish-armik dhe me rekordet e veta ambicioze), apo të kesh aleat një grupim biznesesh, të cilët me kalimin e kohës e klasifikojnë dhe do e kushtëzojnë kryeministrin, që të shndërrohet, herët a vonë, në një kryemenaxher të sipërmarrjeve të tyre?”, pyet Zheji.

/portali DurresLajm/