TIRANË, 15 mars 2013 – Shtetet kryesore të botës në zhvillim, përfshi këtu dhe vendet kyçe në Europën Lindore dhe Azine Qendrore, po i japin një trajtë të re dinamikave globale në një epokë te re të progresit të zhvillimit njerëzor, thotë Raporti për Zhvillimin Njerëzor 2013- "Ngritja e jugut": Progresi njerëzor në një botë te shumellojshme” publikuar sot nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Ngritja e jugut është e paprecedentë në shpejtësi dhe në shtrirje. Kurrë më parë në histori kushtet e jetesës dhe perspektivat e kaq shumë njerëzve nuk kanë ndryshuar në mënyrë kaq dramatike dhe kaq shpejt", thotë raporti.
"Për herë të parë pas kaq shekujsh jugu në tërësi po shtyn përpara rritjen ekonomike globale dhe ndryshimin shoqëror."
Vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore qëndrojnë në pararojë të këtij ndryshimi: "Ajo që lidh veriun dhe jugun që po ngrihet është lindja që po transformohet", thotë raporti duke iu referuar rajonit.
Përfaqësuesja e Përhershme e OKB-së, Zineb Touimi-Benjelloun gjatë prezantimit të raportit bëri të ditur se Shqipëria pozicionohet midis vendeve me zhvillim të lartë njerëzor, është e 70-ta mes 187 vendeve dhe territoreve.
“Përsa i përket indeksit të pabarazisë gjinore, që reflekton pabarazite te bazuara ne gjini ne tre dimensione – shëndetin riprodhues, fuqizimin dhe aktivitetin ekonomik, Shqipëria zë vendin e 41 nga 148 vende sipas Raportit më të fundit të Zhvillimit Njerëzor”, u shpreh ajo.
"Shumë shtete në zhvillim në të gjithë botën kanë arritur rritje mbresëlënëse dhe kanë përmirësuar ndjeshëm jetët e njerëzve me politika pragmatike, të cilat zakonisht kombinojnë lidershipin e fortë të qeverisjes, tregjet e lira dhe programet sociale vizionare", thuhet në raport.
"Raporti i vitit 2013 përbën një kontribut të rëndësishëm në mendimin për zhvillim duke përshkruar nxitësit specifikë të transformimit të zhvillimit dhe duke sugjeruar përparësitë e politikave në të ardhmen që mund të ndihmojnë në qëndrueshmërinë e një vrulli të tillë", shkruan administratorja e UNDP-së, Helen Clark, në parathënien e raportit.
Disa nga vendet më të mëdha kanë bërë përparim të shpejtë, nga të cilët mund të përmendim Brazilin, Kinën, Indinë, Indonezinë, Afrikën e Jugut dhe Turqinë.
Përvoja e shumë shteteve në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në menaxhimin e një tranzicioni të shpejtë nga ekonomi të planifikuara nga qendra në ekonomi tregu jep mësime të vlefshme për shtetet në zhvillim në rajone të tjera, thuhet në raport. Faza e parë e transformimit ka nisur me një rënie të ndjeshme në standardet e jetesës dhe zhvillimin njerëzor. Megjithëse secili shtet ka arritur që në vijim të rikuperojë situatën, përvoja e përgjithshme nënvizon rëndësinë e përfshirjes sociale dhe të rolit të përgjegjshëm të shtetit.
Por jugu po ballafaqohet me sfida të përbashkëta, plakja, mjedisi, presionet politike dhe pabarazia, dhe shtetet do të kenë nevojë për nisma të reja të politikave të brendshme si edhe masa ndërkombëtare për të vazhduar këtë vrull të zhvillimit njerëzor.
Shumë vende të rajonit si Kroacia, Kazakistani, Federata Ruse dhe Turqia me kalimin e kohës janë bërë donatorë të rëndësishëm me disbursime që në vitin 2011 i tejkaluan 4 miliardë dollarë. Këta donatorë të rinj janë gjithashtu aktivë në shkëmbimet dypalëshe ose trepalëshe të njohurive me vende me trashëgimi të përbashkët ose edhe përtej.
Në raport diskutohet se krijimi i një jugu të ri po trondit institucionet globale ekzistuese duke krijuar institucione të reja dhe duke treguar mënyra të reja bashkëpunimi mes shteteve dhe rajoneve. Në raport gjithashtu diskutohet se jugu ka nevojë për një përfaqësim më të madh, por në institucione globale të reformuara dhe të riorganizuara.
Raporti thekson se Vlera e Treguesit te Zhvillimit Njerezor për Shqipërinë për vitin 2012 është 0,749, duke bere pjese në kategorinë e zhvillimit të lartë njerëzor, duke u renditur në vendin e 70-të nga 187 shtete dhe territore. Nga viti 1985 deri në vitin 2012, vlera e HDI-së në Shqipëri është rritur nga 0,651 në 0,749, një rritje prej 15 për qind ose një rritje vjetore mesatare prej 0,5 për qind.
Ngritja e jugut duhet të konsiderohet si përfitim për të gjitha shtetet dhe rajonet, përfundon raporti: Zhvillimi njerëzor nuk do të thotë fitim në dëm të tjetrit.
"Jugu ka nevojë për veriun dhe veriu sa vjen e ka më shumë nevojë për jugun", thuhet në raport.
/Balkanweb/





