Trembëdhjetë persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas zjarrit që përfshiu një ndërtesë banimi në lagjen Emshir të Prishtinës, bëri të ditur Policia e Kosovës. Paraprakisht, Policia tha se personat që morën trajtim mjekësor kishin kryesisht probleme të shkaktuara nga tymi.
“Aktualisht situata është vënë nën kontroll, zjarri është lokalizuar nga ana e zjarrfikësve”, – tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti. Autoritetet policore thanë se rreth orës 18:40 pranuan informatën se një ndërtesë banimi në kryeqytetin e Kosovës ishte përfshirë nga zjarri.
Zyrtarët policorë dhe zjarrfikësit dolën në vendngjarje, duke evakuuar banorët dhe duke luftuar me flakët. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shprehu mirënjohje për ekipet e zjarrfikësve, policisë dhe ekipeve mjekësore për “reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e lartë shpëtuan jetët e qytetarëve.”.
“Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë qytetarëve dhe të sigurohemi që ndihma dhe mbështetja e nevojshme të jenë të garantuara për të gjithë ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi”, – tha ai.
Ndërkaq, Policia tha se për detaje të tjera për këtë ngjarje, opinioni do të njoftohet pas përfundimit të ekzaminimeve dhe hetimeve nga institucionet kompetente./REL