Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën me zjarret në vend, duke raportuar  për 18 vatra zjarri, 5 prej të cilave mbeten aktive, 6 janë nën mbikëqyrje dhe 7 janë shuar.

Në Ballenjë, Dibër, vijon aktive vatra në zonën e mbrojtur Ballenjë–Kostenjë, ku në terren janë angazhuar 6 forca të ADZM Dibër.

Në Qafë të Helmës, Bulqizë, për shkak të intensitetit të erës, zjarri ka zgjeruar perimetrin në sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për përballimin e situatës janë angazhuar 23 forca operacionale nga MZSH Bulqizë dhe strukturat e tjera bashkiake. Në të dyja rastet nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dardhës, Librazhd, vijon puna për shuarjen e zjarrit në sipërfaqe pyjore, ku në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd.

Në Malin e Qukësit, Prrenjas, është evidentuar riaktivizim i vatrës, ku vijon djegia e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda perimetrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Shashicë–Vodicë, Vlorë, është riaktivizuar një vatër në sipërfaqe pyjore me shkurre. Zjarri zhvillohet në një zonë të largët dhe në terren të paarritshëm nga forcat dhe mjetet. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë Mollës, situata paraqitet e përmirësuar. Pas reshjeve të shiut të regjistruara në zonë, vatra do të mbahet nën mbikëqyrje nga strukturat operacionale, me qëllim shmangien e çdo riaktivizimi të mundshëm. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Abaze, Krujë, vatra është izoluar plotësisht dhe zona po mbahet nën mbikëqyrje për të shmangur riaktivizimin.

Në Bershi–Patin, Klos, zjarri është vendosur nën kontroll të plotë dhe po monitorohet nga shërbimi pyjor, ndërsa në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun, Pukë, nuk ka më vatra aktive dhe zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Ministria sqaron se situata paraqitet përgjithësisht e përmirësuar dhe pa rrezik për zonat e banuara.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, thuhet ne njoftim.