Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 11 orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri. Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe 6 përfaqësues të AKMC-së dhe Emergjencave Civile.
Nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor. Në Dajt vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga 2 helikopterë.
Në Drenie, bashkia Patos, operacioni vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake. Gjithashtu në Krujë vijon angazhimi në disa vatra.
Në Abaze po operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, njëra vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për vatrën në terren të vështirë është angazhuar 1 helikopter i FA-së dhe pranë banesave janë pozicionuar 3 automjete zjarrfikëse.
Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me angazhimin e MZSH-së, Policisë së Shtetit, forcave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor, vullnetarëve, AKMC-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 2 avionëve Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen. Në malin e Moravës, bashkia Devoll, vijon puna e forcave operacionale në zonën e mbrojtur me pyll pishe, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara





