Puna për shuarjen dhe izolimin e zjarrit në fshatin Panahor të Mallakastrës vijon edhe gjatë ditës së sotme, 8 gusht.

Ka nisur krehja e perimetrit të jashtëm të vatrës së zjarrit. Në terren ndodhen 10 efektivë të MZSH-së, 30 forca bashkiake, 8 punonjës të Policisë Bashkiake, 3 punonjës të Emergjencave Civile dhe 30 trupa të Forcave të Armatosura.

Sipas informacioneve, situata në këtë pjesë të perimetrit paraqitet e qetë dhe po mbahet nën kontroll.

Ndërkohë, zjarri vijon të jetë aktiv nën kurorën e pemëve në krahun verior, në zonën Ndrenie-Lofkënd-Vlosht. Në këtë pjesë të vatrës po kryhet monitorimi dhe ndërhyrja nga forcat e MZSH-së së Patosit dhe Roskovecit.

Forcat në terren po vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.