Zona e Plazhit pritet që të ketë një infrastrukturë tërësisht të përmirësuar gjatë vitit të ardhshëm. Sistemimi i zonës në fjalë, në të dyja anët e rrugës Ura e Dajlanit-Plepa, duke realizuar tri projekte të ndryshme, pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm. Në këtë zonë kanë nisur dhe do të zbatohen projekti për përmirësimin e furnizimit me ujë të zonës së Plazhit, ndërtimi i rrjetit sekondar dhe terciar të zonës së banuar të kanalizimeve të ujërave të zeza, mbyllja e kanalit të hapur, ndërtimi i një rruge sipër tij si dhe asfaltimi i rrugëve të brendshme të zonës.

1. Projekti për ujin e pijshëm

Zona e Plazhit ka probleme të shumta të furnizimit me ujë, të cilat janë më të dukshme gjatë dy muajve të verës, korrik dhe gusht. Për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të popullsisë gjatë verës, por edhe të lidhjeve të paligjshme të kryera në rrjetin e ujësjellësit ndër vite, është krijuar një situatë problematike. Zgjidhja e furnizimit me ujë të pijshëm për zonën është menduar duke ndërtuar një rrjet të ri për përmirësimin e furnizimit me ujë nëpërmjet sistemit aktual që mundësohet nga depoja e Arapajt dhe tubacioni që vjen nga Fushë Kuqja.

Nga ana tjetër, për zonën e Plazhit do të jetë edhe një linjë shtesë që sjell ujë nga Çerma e Lushnjës, linjë e cila mendohet se do të furnizojë plazhin pa ndërprerje me rreth 160 litra ujë në sekondë. Objekti i këtij projekti është hartimi i rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm të zonës së plazhit në anën e djathtë dhe të majtë të rrugës Ura e Dajlanit-Plepa, nga depoja ekzistuese e ujësjellësit në Arapaj si dhe nga tubacioni aktual që vjen nga Fushë Kuqja. Zona e plazhit furnizohet me ujë nga depoja nr. 4  e Arapajt si dhe nga tubacioni DN 600 mm që kalon drejt kësaj zone nga Ura e Dajlanit. Projekti është hartuar duke marrë parasysh rritjen mesatare të popullsisë për 25 vjet dhe duke llogaritur konsumin ditor prej 150 litra ujë në ditë për banor. Sipas këtyre llogaritjeve, popullsia e zonës së Plazhit mendohet të jetë 40 mijë banorë pas 25 vitesh, nga 21 650 që është aktualisht. Në këtë shifër përfshihen edhe turistët që akomodohen në këtë zonë gjatë sezonit të verës në muajt maj-shtator. Investimi në fjalë është tenderuar  nga drejtoria e përgjithshme e Ujësjellës Kanalizime Tiranë dhe është shpallur firma fituese, e cila pritet të fillojë punimet në fillim të vitit të ardhshëm. Kohëzgjatja e punimeve do të jetë një vit. Vlera e investimit është 199 000 000 lekë me TVSH.

2. Kanalizimet e ujërave të zeza në zonën e Plazhit

Pas ndërtimit të rrjetit kryesor të kanalizimeve të ujërave të zeza si dhe rehabilitimit dhe ndërtimit të stacioneve të reja të pompimit përgjatë aksit nga Përroi i Agait në Shkëmbin e Kavajës deri tek Ura e Dajlanit në Durrës, së shpejti nis zbatimi i projektit për ndërtimin e kanalizimeve sekondare dhe terciare për zonën në fjalë. Projekti në fjalë është hartuar në kuadrin e programit IPA Projekt 2008, i financuar nga KE për zonat bregdetare. Në kuadrin e këtij financimi, nga programi IPA është kryer një rikonstruksion i plotë i sistemit të kanalizimeve të zonës së plazhit. Për funksionimin e rrjetit të kanalizimeve në zonën e plazhit, në investimin  e realizuar dy vjet më parë u bë e mundur ndërtimi i katër stacioneve të reja të pompimit si dhe rikonstruksioni i gjashtë stacioneve ekzistuese. Gjithashtu u ndërtua dhe një stacion pompimi i ri, stacioni nr. 9, i cili merr ujërat e zeza të plazhit nga stacioni nr. 6 dhe ujërat e zeza te qytetit nga stacioni nr. 8. Më pas nga stacioni nr. 9 ujërat e zeza kalojnë në impiantin e pastrimit të ujërave të zeza në Shënavlash. Në dhjetor të vitit 2001 është aprovuar një projekt i investimit në Sektorin e Ujit (Water Sector Investment Project, WSIP), pjesë e asistencës së Bankës Botërore për Qeverinë Shqiptare. Ky projekt ka objektivin kryesor përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ujit dhe ujërave të zeza në ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Durrës dhe përmirësimin e performancës finale të ndërmarrjes. Meqenëse një pjesë e kanalizimeve sekondare dhe terciare që do të ndërtohen, kalojnë në rrugën kryesore Plepa-Ura e Dajlanit, nga njësia me zbatimit të projektit PIU-t u kërkua që pjesa e  kanalizimeve sekondare dhe terciare që kalojnë në rrugën kryesore Plepa-Ura e Dajlanit, të ndahet nga projekti i hartuar në kuadrin e IPA-s për komplet zonën e Pazhit. Projekti në fjalë është hartuar duke pasur parasysh popullsinë e zonë si dhe konsumin e ujit të pijshëm. Prurjet janë llogaritur duke marrë për bazë një popullsi prej 125 000 banorë dhe konsum mestar ditor prej 150 litra ujë, e cila sjell 35 625 litra ujë të ndotura në ditë, të cilat janë llogaritur si prurje maksimale. 

Përshkrimi i projektit të zbatimit

Materiali i propozuar në projekt për tubacionet është PE, tubacion i brinjëziar, SN-8, ndërsa materiali i përdorur për pusetat është PE, i rrethuar me beton. Diametri minimal i pranuar do të jetë 300 mm (Dj-315mm) për të gjithë kanalet sekondare dhe terciare. Distanca midis pusetave është llogaritur të jetë 35-50 m. Volumi i punimeve që pritet të kryhen gjatë zbatimit të këtij projekti lidhet me ndërtimin e rrjetit sekondar, terciar si dhe ndërtimin e pusetave përgjatë këtyre kanalizimeve. Në total pritet të ndërtohen 3394 metër linear kanalizime sekondare dhe terciare në të cilat do të vendoset tubacion plastik i brinjëzuar me diametër 315 mm. Nga këto 2575 metër linear do të jenë kanalizime sekondare dhe 819 metër linear kanalizime terciare. Përgjatë kanalizimeve janë projektuar ndërtimi i 97 pusetave gjithsej, të cilat do të jenë në një thellësia nga 1.5 deri në 3 metra me përmasa 1.5 me 2 metra. Ky investim është në proces tenderimi dhe pritet të nisë nga zbatimi në fillim të vitit të ardhshëm. Fondi për këtë investim është 4.2 milion euro dhe është pjesë e fondit të Bankës Botërore për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza për zonën e Plazhit dhe qytetit të Durrësit.

3. Mbyllja e kanalit të hapur

Investimi për mbylljen e kanalit të hapur po shkon drejt përfundimit. Faza e parë e tij është drejt mbylljes, pasi firma zbatuese e punimeve është duke asfaltuar gjithë aksion e rrugës nga Ura e Dajlanit deri te rruga “Teuta”, me një gjatësi prej rreth 2 km. Ashtu siç ishte parashikuar, bashkia e Durrësit akordoi fondin për këtë investim vetëm për gjysmën e segmentit që parashikon mbylljen e kanalit të hapur nga Ura e Dajlanit deri në sektorin “Iliria”. Investimi në fazën e parë ishte planifikuar të zhvillohej me fonde të buxhetit të vitit 2015, ndërkohë që pjesa tjetër e investimit pritet të mbyllet brenda vitit të ardhshëm, pasi janë planifikuar fondet në buxhetin e vitit 2016. Me një fond prej 63 milionë lekësh, në kanalin e hapur që gjendet në mes të zonës së banuar të Plazhit, firma zbatuese e punimeve ka realizuar vendosjen e kombinove prej betoni me diametër 1000 mm, mbushjen e rrugës me zhavorr dhe stabilizant, ndërtimin e pusetave kryesore për ujërat e zeza dhe ato të shiut si dhe ndërtimin e trotuareve. Në këto të fundit janë planifikuar edhe vendosja e shtyllave për ndriçimin e rrugës si dhe mbjelljen e pemëve. Trotuaret janë planifikuar të shtrohen me beton të cilësisë së lartë, ndërsa rruga në gjithë gjerësinë e saj është shtruar me asfalt në trashësinë 10 cm. Investimi në fjalë zgjidh përfundimisht problemin e përmbytjeve në zonën e banuar të plazhit, ndërkohë që përmirëson ndjeshëm infrastrukturën rrugore të zonës për sa i përket disiplinimit të ujërave të zeza. Zona e banuar përkohësisht e ka gjetur zgjidhjen për lidhjen e ujërave të zeza në këtë kanal që gjendet poshtë rrugës, derisa të nisë investimi i Bankës Botërore për ndërtimin e kanalizimeve sekondare dhe terciare për zonën nga Ura e Dajlanit deri në Plepa. Investimi në fjalë është vlerësuar shumë nga  banorët e zonës, pasi ekzistenca e kanalit të hapur kishte sjellë mjaft probleme në lidhje me higjienën, pastërtinë dhe sidomos dëmtimin e imazhit turistik të zonës. Në muajt e verës, përgjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, në këtë zonë akomodohen një numër mjaft i madh pushuesish që vijnë kryesisht nga Kosova dhe Maqedoni për të kaluar pushimet e verës.