Nga Iva Tiço

Dje ishte një nga shkrimet më të lexuara dhe më të komentuara në Tirana Post Eni Çobani, që duke folur në një intervistë për Vetting-un në sistemin gjyqësor, ishte e idesë që përjashtimi i të korruptuarve nga radhët e drejtësisë nuk ishte i mjaftueshëm, pasi atyre u duhet hetuar dhe konfiskuar pasuria e bërë me të padrejtë. Lajmi ishte ky, siç e kam përmbledhur në një fjali. Por, meqë juristja, e bërë e njohur në audiencën shqiptare si pjesë e programit e “Diela Shqiptare”, me një nga rubrikat me rekord shikueshmërie si “Shihemi në gjyq”, ka vendosur ta shpjegojë më qartë idenë e saj, ka vijuar më tej arsyetimin… Për të qenë të ndershëm, po e citojmë ekzaktësisht:

“Akoma sot jam përballë jush dhe realisht ndihem e fyer në personalitet, sepse jam një njeri i lindur në Tiranë, jam vajzë e dy intelektualëve, kam jetuar mirë, por nuk kam pasur mundësi të kem as vila, jo vilë në fshat, vilë në qytet, vilë në det dhe vilë në mal, por një shtëpi modeste, në të cilën vazhdoj të jetoj edhe sot. Po si është e mundur që ky njeriu që nuk e ka njohur Tiranën ndonjëherë, ka ardhur shumë vonë në Tiranë, është bërë multimiliarder, ka ushtruar edhe funksionet e gjyqtarit ose të prokurorit dhe del sot para meje e teje dhe nuk i bën përshtypje fare asgjë, biles del nga komisioni dhe thotë “E kanë marrë në mënyrë korruptive vendimin për mua, ose dhe politike?”

Edhe pse juriste, edhe pse gjykatëse popullore, edhe pse “bijë intelektualësh”, ligjërimi i mësipërm i Eni Çobanit nuk ndryshon fare nga ai i një fqinji në pallatin tim, lagje në zemër të Tiranës, që si banor autokton që është, nuk do që të paguajë as tarifat e administrimit të pallatit dhe proteston që ne jabanxhinjtë të kemi fjalën tonë në vendimmarrjen e shkallës, pasi pretendon që është ende pronari i tokës, edhe pse ka firmosur bashkë me të vetët për ndërtimin e pallatit… Me të e kam kollaj, e kaloj me një “ha… ha” sa herë më thotë ndonjë gjë të ngjashme, po me këtë zonjën Eni si t’ia bëj? Meqë është bijë intelektualësh dhe di ca më shumë sesa fqinji im, po tentoj t’ia shpjegoj pak më butë:

– Zonja Eni, nëse një gjykatës i korruptuar që ka lindur jashtë Tiranës dhe një i tillë i lindur në Tiranë janë të dy të fajshëm, i bie që të dy kanë faj njëlloj dhe mirë është t’u sekuestrohet pasuria të dyve.

– Zonja Eni, nëse një gjykatës apo çfarëdo punonjës i drejtësisë qoftë, është i korruptuar dhe nuk ka lindur në Tiranë, faji i tij nuk është se ka blerë vile dhe të del ty përpara, por sepse ka përfituar para me të padrejtë. Vila është një nga gjërat që tregon se ka para, por ka dhe shumë gjëra të tjera që e tregojnë këtë: veshjet, udhëtimet, paratë në bankë, shkollat e fëmijëve, aksionet në shoqëri tregtare, apartamentet që nuk janë vila, dyqanet, makinat e shtrenjta, çantat Hermes, lekët poshtë dyshekut etj., etj., (se nuk kam dhe aq shumë fantazi se ç‘mund të bëja me lekët po të isha njeri i drejtësisë).

– Zonja Eni, nëse një gjykatës i korruptuar, që ka lindur në Tiranë, për arsye të ndryshme nuk ka qejf të blejë vilë, është po aq i korruptuar si ai që vjen nga rrethet dhe blen vilë. Sërish i duhet konskuar pasuria dhe aq laçkë e plaçkë sa ka, paçka se jo vilë.

– Zonja Eni, ka shumë njerëz që nuk kanë lindur në Tiranë, që deri në njëfarë pike nuk u ka plasur fare se ku bie Tirana dhe për arsye të ndryshme, që nuk kanë domosdoshmërisht lidhje me korrupsionin, mund të kenë aq para sa të blejnë një vile ose disa të tilla. Ti si vajzë intelektualësh që je, i bie mos të të vijë mirë, por ja që kjo është jeta, ky është kapitalizmi. Dhe në kapitalizëm nuk ka lezet të shprehesh kështu “ka ardhur vonë në Tiranë”. Ja ka ardhur vonë, e ça pastaj? Të presë radhën thua? Sa të blejnë vila ata që kanë ardhur më herët?

– Zonja Eni, edhe unë si vajzë intelektualësh, e ardhur vonë në Tiranë, e kuptoj që ti nuk e ke me mua, se unë nuk jam në sistemin e drejtësisë (tek e fundit as vilë nuk kam, ja një apartament edhe më modest se ty kam, kredinë e të cilit e kam barrë ende dhe për ca vjet), por prapë nuk më rri hiç kjo shprehja. Nuk më rri as nga ky fqinji im që aq ka, mendo tani nga ty! Nuk është se më djeg, nuk kam asnjë kompleks kur e dëgjoj këtë fjalën “të ardhurit” apo atë tjetrën “jabanxhinjtë”, thjesht më bën për të qeshur dhe në shumë raste më dhimbsen ata që e thonë, më duken ca njerëz mendjembyllur, që pandehin se ky qyteti ku ata kanë lindur dhe janë rritur, për meritë jo të tyre, na paska pasur ca gjëra që të tjerët nuk i paskan dhe i vuakan… Më kujtohet sidomos një vajzë, që ashtu siç ke thënë ti dje në intervistë, bënte statuse në Facebook për privilegjin e të rriturit në mes të Tiranës. Më qëlloi njëherë që e çova me makinë atje ku kishte shtëpinë, jo tamam në mes, por diku në të dalë të Tiranës, rrugicë pas rrugice u gjenda në një shtëpi përdhese, ende me gropë septike në bahçe… Çfarë t’i thoje?! Unë s’i thashë asgjë, u ndjeva ca si fajtore që nuk prita radhën ta marr shtëpinë në qendër përpara saj, se helbete, kam ardhur ca më vonë.

– Zonja Eni, Shqipëria është e gjitha një provincë e prapambetur, ende tejet e skamur krahasuar me Evropën ku do që të bëjë pjesë, është ai vendi i mbrapshtë ku intelektualët dhe të pasurit prej vërteti, që nga viti ’45 e në vijim u zhdukën, u internuan, u shpronësuan, u vodhën, u nëpërkëmbën, nuk i lanë të shkolloheshin dhe nuk iu kthye thuajse asgjë mbrapsht. Dhe në atë kohë mizerje, në atë jetë të trishtë, intelektualë, punëtorë, të persekutuar ishin pak a shumë të barabartë në skamjen e përgjithshme, është si të bësh dallimin tani në familjet e varfra dhe shumë të varfra. Ndaj kur bëhen tani ligjërime të tilla me ndarje krahinore “ti ke ardhur që këndej dhe unë që andej” për mua është si të thuash “të pëgërat e mia vijnë më pak erë” (më falni shumë për krahasimin, por kur vjen puna për atë kohë, nuk më dalin krahasime as më të zgjuara, as më të bukura, as më erëmira).

– Dhe së fundi, zonja Eni, unë besoj që kjo është një gafë e jotja e bërë patëkeq. Ti nuk ke asgjë të përbashkët me këtë fqinjin tim, që aq ka, por ndonjëherë kështu është kjo bota jonë e televizionit. Kur merr pjesë në programe shumë popullore, fillon të ligjërosh në mënyrë popullore dhe shket e shkreta gojë e thotë të tilla gjëra… Sërish mendoj që je një grua e mençur, por ndoshta e keni këtë të keqe ju të rriturit në Tiranë. Ende mendoni se ka ca gjëra që ne të tjerëve na kanë munguar dhe na mungojnë. Ose mbase edhe, por ne të tjerët këtë s’e dimë. Unë së paku mendoj se në Tiranë thjesht ka më shumë mundësi për të bërë punë e para… Të tjerat mbase nuk i kuptoj… /Tiranapost.al