·       Në takimet me elektoratin nuk është trajtuar ky shqetësim i ndërkombëtarëve: “Administrata e bashkisë së Durrësit duhet të jetë e përgatitur për t’u amalgamuar me të pesë njësitë e qeverisjes vendore së bashku me stafin dhe planet e zhvillimit të tyre, si dhe infrastrukturën pritëse të administratës së re. Për momentin në Durrës po zhvillohen disa projekte nga “Rilindja e Qyteteve”, që do t’i shërbejnë të gjithe komunitetit. Gjithsesi disa nga sfidat më të rëndësishme të Durrësit (dhe të pesë njësive të tjera) janë: të kuptuarit e problematikës (administrative / financiare / menaxheriale) të çdo njësie të qeverisjes vendore. Përgatitja e administratës së re për të kontrolluar dhe për të shërbyer në territorin e ri dhe për të mbuluar të gjithë qytetarët me shërbim cilësor. Inkorporimi i planeve ekzistuese të zhvilluara në nivel lokal, në planin e madh të zhvillimit të bashkisë së re”.

DURRËS, 24 maj 2015 –  Më të shqetësuar ndërkombëtarët për zonën fshatare që do t’i bashkëngjitet bashkisë së re të Durrësit se sa shtabet e forcave politike vendore në këtë fushatë zgjedhore për zgjedhjet vendore, pasi shumë pak ose aspak preket tema për atë që do të ndodhë në shtator 2015.

Më 9 mars 2015, për herë të parë në kuadrin e Reformës Administrative dhe Territoriale, programit dhe mbështetur nga Qeveria Zvicerane, u prezantuan rezultatet e analizës socio-ekonomike të të gjashtë njësive vendore që do të përbëjnë bashkinë e re Durrës (Durrës, Manëz, Ishëm, Katund i Ri, Sukth dhe Rrashbull). Midis më tepër se 50 pjesëmarrësve ishin drejtorë drejtorish nga të gjashtë njësitë, kryetarë njësish vendore, përfaqësues të biznesit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe pedagogë dhe studentë të Universitetit Aleksandër Moisiu. Ishte i ftuar dhe drejtori i sapoemëruar i Agjencisë së Reformës Territoriale, Z. Artan Shkëmbi. Diskutimet u përqendruan në rolin strategjik të bashkisë së Re të Durrësit, te nevoja për informim të strukturuar mbi bashkitë e reja, strukturën prodhuese & të shërbimeve të bashkisë së re dhe sektorët prioritarë, rëndësinë e koordinimit me pushtetin qendror në investimet strategjike, dhe në hapësirat dhe mundësitë që ofron reforma për qytetarët. Në fund u paraqit një listë 31 projekte të identifikuara nga ekipi i Shtetiëeb.org me synim forcimin e lidhjes mes gjashtë njësive. Kuadri socio-ekonomik u plotësua me një prezantim nga prof. Afrim Krasniqi nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike (në koordinim me Shtetiweb.org) mbi rezultatet paraprake të një ankete mbi perceptimet e qytetarëve të qarkut të Durrësit.

Në mbledhjen e 10 prillit 2015 të këshillit bashkiak Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim – CDI u vuri në dispozicion “baballarëve” të qytetit, të majtë dhe të djathtë “Projekte të kohezionit në bashkinë e re Durrës” për zonën funksionale për njësitë e qeverisjes vendore të zonave fshatare (Rrashbull, Katundi i Ri, Sukth, Manzë, Ishëm).  Më 16 prill 2015, Bashkia Durrës dhe Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor, organizuan pranë Bashkisë së Durrësit ekspozitën publike për vlerësimin e projekteve prioritare në kuadër të programit për Zonën Funksionale të Durrësit, e cila do të jetë edhe bashkia e ardhshme Durrës pas zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit.

Është interesante se Agjencia Austriake për Zhvillim po merret me projektin “Përkrahja e zhvillimit të harmonizuar lokal në bashkinë e re të Durrësit, përmes promovimit të zonave të brendshme rurale”. Projekti do të identifikojë dhe hedhë në hartë prodhuesit e verës në një Rrugë Vere. Objektivat e projektit janë: promovimi i profilit turistik të zonave rurale të Bashkisë së Re të Durrësit; rritja e mbështetjes ekonomike për popullatën nëpërmjet gjenerimit të të ardhurave nga aktivitetet lokale; krijimi i lidhjeve të kohezionit mes fshatrave të ndryshëm përmes aktiviteteve të njëjta. Aktivitetet kryesore të projektit janw identifikimi i prodhuesve kryesorë të verës dhe vreshtave, vendndodhja, lloji i rrushit, lloji i verës; në konsultim të ngushtë me ta ndërtimi i një profili të shkurtër marketing i çdo prodhuesi të zgjedhur, ndërtimi i një logo / shenje identifikimi; trajnimi dhe pajisja e prodhuesve të zgjedhur me pajisje të mikpritjes turistike dhe të provës së verës; ndërtimi i një hartë digjitale me vreshta të zgjedhur dhe bodrume të verës dhe përshkrimi i çdo vendi dhe promovimi i tij; konferencë përmbyllëse për promovimin e komunitetit të prodhuesve vendorë të verës, dhe vendosja e paneleve të informacionit për turistët.

“Dyrrah”-u synon të informojë publikun, por edhe strukturat e forcave politike vendore për problematikën e identifikuar nga zviceranët për zonën rurale të Durrësit.

Info/ Dokumenti

Përgatitja e Programit të Zonës Funksionale së Bashkisë së Re Durrës në kuadër të Programit të Zhvillimit Lokal dhe Decentralizimit (një program i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim – CDI). Qëllimi kryesor është përgatitja e analizës sociale-ekonomike e bashkisë së re të Durrësit, që do të shërbejë si plan zhvillimi rajonal për rajonin e ri të Durrësit, pas zbatimit të Reformës Administrative Territoriale (RAT) në Shqipëri. Rezultatet e projektit do të jenë:

Analiza sociale-ekonomike, përfshirë demografinë, sektorët kryesorë ekonomikë, politikat publike, investimet kryesore në infrastrukturë, etj; vlerësimi i shërbimeve lokale në zonën funksionale, si uji, mbetjet, zhvillimi urban dhe planifikimi, arsimi, etj; analiza e organizimit së qeverisjes lokale në gjashtë njësitë administrative (Durrës, Ishëm, Katund i Ri, Rrashbull, Sukth dhe Manëz); konsultimi lokal me palët e interesuara në Durrës, Ishëm, Katund i Ri, Rrashbull, Sukth dhe Manzë, ndjekur nga një fushatë informimi dhe promovimi lidhur me ndikimin e RAT në zonën e tyre;

Lista e mëposhtme përmban nisma dhe projekte që kontribuojnë drejtpërdrejt në intensifikimin e lidhjeve dhe kohezionit mes njësive të bashkisë së Re Durrës, dhe qytetareve të saj. Buxheti i këtyre projekteve varion nga disa mijë euro ne disa milionë euro. Lista është rezultat i bisedave dhe konsultimeve me aktorë vendorë për periudhën tetor 2014-shkurt 2015. Kjo listë nuk është përfundimtare dhe pritet të pasurohet më tej.

KOMUNA KATUNDI I RI

Rehabilitimi i Projektit të Ujërave të Zeza në fshatrat Rinia dhe Adriatik.

Rehabilitimi i rrugës Lapidar-Katund i Ri-Kodër-Jubë-Dushk, që lidh Katundin e Ri-Manëz-Sukth-Ishëm dhe e shkurton distancën me 35 km.

Rikonstruktimi i shkollës 9-vjeçare. Kjo do të përmirësonte organizimin dhe mësimdhënien në shkollën ekzistuese, e cila aktualisht mban nxënës të 9-vjeçares (450 nxënës) dhe të shkollës së mesme (400 nxënës). Në fakt një pjesë e madhe e nxënësve këtu jetojnë në njësitë vendore fqinje. Një ide e mirëpritur do të ishte shtimi i një qendre trajnimi profesionale në shkollë. Zona bujqësore / aktivitetet në Katundin e Ri dhe në bashkine Durrës po vuajnë nga mungesa e ekspertëve teknikë bujqësorë të kualifikuar. Shkolla e mesme ekzistuese kishte fillimisht një cikël trajnimi profesional që ofronte trajnime në bujqësi dhe në zooteknikë. Ri-profilizimi i shkollës së mesme të Katundit të R drejt formimit profesional për zonën, të kompletuar me laborator / mësimdhënie dhe parcelë bujqësore eksperimentale do të krijonte një pol zhvillim bujqësor në Katundin e Ri që do t’i shërbente bashkisë Durrës dhe bashkive të tjera fqinje.

Rehabilitimi i Qendrës Kulturore.Ne Katundin e Ri është identifikuar një qendër e vetme multikulturore me një kapacitet prej 400 vetash, pronë publike. Rehabilitimi i saj do të krijonte mjedis të përshtatshëm për veprimtari kulturore, rinore dhe manifestime publike të ngjashme, duke i dhënë kështu Katundit të Ri një rol të rëndësishëm për organizimin e veprimtarive social-kulturore.

KOMUNA ISHËM

Komuna Ishëm, që përfshin 11 fshatra me 8 500 banorë, identifikon si përparësi projektet:

Ndërtimi i “Shëtitores bregdetare të Gjirit të Lalzit” në një gjatësi 4,5 km. Është parashikuar të vendoset 130 metra nga bregu dhe do të lejojë një riorganizim të ofruesve të shërbimeve që janë shtrirë në gjirin e Lalzit. Zgjerimi i saj i mundshëm mund të lidhë komunën Ishëm me bashkinë e Sukthit dhe komunën Katund i Ri në zonën e Adriatikut / Rinia. Shëtitorja mund të japë një shtysë të vërtetë për zhvillimin e turizmit të plazhit të zonës së Katundit të Ri. Ajo gjithashtu mund të ushtrojë presion mbi depozitat e karburanteve të Porto Romanos për të mbrojtur më mirë mjedisin.

Ngritja e laboratorit bakteriologjik në qendrën shëndetësore të Ishmit dhe furnizimin e saj me materialet e nevojshme për analizat bazike shëndetësore.Ky laborator do t’i shërbejë popullatës së Ishmit dhe njësive të qeverisjes vendore fqinje (kryesisht Manzës). Për shkak të distancës së madhe gjeografike të Ishmit nga qendrat e tjera fqinje (Manëz dhe Katund i Ri) nuk është e lehtë për të gjetur projekte ndërkufitare në këtë njësi të qeverisjes vendore. Ishmi lidhet historikisht me Fushë Krujën dhe në këtë aspekt mund së fundmi të ofrojë një mënyrë më të shkurtër për bashkinë Durrës për t’u lidhur me bashkinë Krujë.

Pastrimi i lumit Ishëm, ku mbeturinat që vijnë nga tre lumenj.Ky është një projekt shumë i rëndësishëm që varet edhe nga investimet e bëra deri tani në Tiranë. Megjithatë bashkia e re Durrës mund të veprojë në zonën industriale të Rashbullit (ku operojnë kryesisht prodhime lëkure dhe frigoriferë) për kontrolluar më mirë dhe madje edhe për të ndaluar ndotjen që është shkaktuar të paktën nga brenda kësaj zone. Ishmi mund të përfitojë nga bashkia e re për të paraqitur më mirë interesat e tij në këtë çështje dhe për të siguruar bashkëpunimin e njësitë e tjerat qeverisjes vendore.

BASHKIA E SUKTHIT

Rikonstruksioni i rrugës Sukth-Hamallaj, e cila lidh zonën Durrës-Tiranë me Gjirin e Lalzit.Kjo ofron një alternativë për zonën e Maminasit, duke siguruar hyrje më të lehtë dhe më të shpejtë në qytetin e Durrësit; duke shmangur vonesat ne sezonin veror; dhe duke i lejuar banorët, prodhimet industriale dhe produktet bujqësore të zonës për të shfrytëzuar më lehtë portin.

Studimi i fizibilitetit për rindërtimin e urës që lidh fshatin Jubë (komuna e Katundit të Ri) me të fshatit Rrushkull (bashkia e Sukthit).Ura e tanishme është ushtarake dhe lejon kalim vetëm për automjete të lehta. Përgatitja e dokumentit të projektit mund të mbështetet me një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Katundit të Ri dhe Sukthit për të bashkaplikuar për fonde të reja investimi për urën.

Studimi i fizibilitetit për rindërtimin e urës që lidh lagjen 1 (bashkia e Sukthit) dhe fshatin Sukth Katund (komuna e Katund i Ri).Si më sipër!

Rikualifikim urban në bashkinë e Sukthit, për të krijuar mundësi të përbashkëta argëtuese për komunitetin me krijimin e zonave te komunitetit si parqet, kënde lojërash etj.

“Rruga e Verës”, e cila kalon përmes bashkive Manzë-Sukth-Kullë-Perlat. Kjo do të mundësonte promovimin e produkteve shtëpiake të vreshtarëve dhe fermerëve të njësive të qeverisjes vendore si: vera, djathi etj. “Rruga e Verës” do të ishte një nismë e mirëpritur për të promovuar turizmin e brendshëm. Turizmi në bashkinë e re Durrës është orientuar tërësisht drejt plazhit. Megjithatë në këtë drejtim dalin tre shqetësime: a) përveç plazhit të Lalzit, pjesa tjetër e linjës së detit është e dëmtuar nga zhvillimi urban; b) është përqendruar në turizëm me të ardhura të ulëta; c) është i përqendruar vetëm gjatë 2,5 muajve të vitit. Si i tillë turizmi ka një ndikim minimal dhe nuk ka vlerë të ndjeshme shtesë për ekonominë e zonës.

Përmes turizmit tokësor, bashkia Durrës mund: a) të promovojë dhe të ofrojë produkte vendase duke ndikuar drejtpërdrejt të ardhurat e banorëve ruralë; b) rritjen e zgjedhjeve të turistëve duke ofruar alternativa për turizmin detar; c) të promovojë profilin e zonës; d) madje edhe të behet tërheqës për banorët e Tiranën apo zonave të tjera urbane.

Specifikë tjetër e bashkisë së Sukthit mund të jetë dhe “turizmi fetar”. Mund të organizohen vizita te organizuara për t’i treguar botës një pjesë unike të “profilit” të zonës, siç është bashkëjetesa fetare unike. Këtu do identifikoheshin raste ku ka xhami, kishë ortodokse dhe kishë katolike ekzistuese në një fshat, apo praktika te ngjashme.

BASHKIA E MANZËS

Bashkia e Manzës është e vetmja që ka të përgatitur një Plan Zhvillimi Urban (dhe pse të pamiratuar akoma). Logjika themelore e këtij plani është të ofrojë shërbime jo vetëm për bashkinë e Manzës (duke qenë se nuk ka popullatën e nevojshme apo veprimtarinë ekonomike), por dhe për Durrësin, Ishmin, Rashbullin, Katundin e Ri, si me poshtë:

Ndërtimi i rrugës që lidh autostradën me Gjirin e Lalzit.Rruga do t’i shërbejë Gjirit të Lalzit (Ishmit) dhe Manzës vetë.

Krijimi i një landfili që do t’i shërbejë të gjithë zonës së Durrësit. Është në proces tenderim nga Ministria e Mjedisit.

Ndërtimi i zonës së banimit.

Krijimi i një kompleksi sportivdo t’i shërbente të gjithë zonës (përveç Durrësit).

Krijmi i zonës së shërbimit të mbështetjes me shërbime tregtare plotësuese, që do të ndikonte në zhvillimin urban të Gjirit të Lalzit.

Kjo logjikë e shndërron zonën e Manzës në një nga bërthamat e zhvillimit të bashkisë së Re të Durrësit.

KOMUNA E RRASHBULLIT

Komuna Rashbull ka me numrin më të lartë të njësive ekonomike të regjistruara në territorin e saj.

Krijimi i një qendre shërbimesh One Stop Shop për biznesinnë këtë zonë do të krijonte infrastrukturë mbështetëse të nevojshme për shërbimet ndaj biznesit. Si fillim mund të ofroheshin të gjitha shërbimet e nevojshme për biznesin që ofrohen nga pushteti vendor (mundësisht dhe nga ai qendror). Në fazën e dyte mund të vendoseshin dhe biznese private si shërbime kontabiliteti, logjistike, ligjore etj.

Krijimi i një kompleksi bujqësore.

Sistemi i kanalizimeve Shkallnur.

Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare Arapaj.

Rikonstruksioni i kopshtit Xhafzotaj.

Rikonstruksioni i kopshtit dhe shkollës 9-vjeçare Manskuri.

Rikonstruksioni i rrugës që lidh lagjen Dibrane dhe rrugën kryesore të Arapaj.

BASHKIA E DURRËSIT

Administrata e bashkisë së Durrësit duhet të jetë e përgatitur për t’u amalgamuar me të pesë njësitë e qeverisjes vendore së bashku me stafin dhe planet e zhvillimit të tyre, si dhe infrastrukturën pritëse të administratës së re. Për momentin në Durrës po zhvillohen disa projekte nga “Rilindja e Qyteteve”, që do t’i shërbejnë të gjithe komunitetit. Gjithsesi disa nga sfidat më të rëndësishme të Durrësit (dhe të pesë njësive të tjera) janë: të kuptuarit e problematikës (administrative / financiare / menaxheriale) të çdo njësie të qeverisjes vendore. Përgatitja e administratës së re për të kontrolluar dhe për të shërbyer në territorin e ri dhe për të mbuluar të gjithë qytetarët me shërbim cilësor. Inkorporimi i planeve ekzistuese të zhvilluara në nivel lokal, në planin e madh të zhvillimit të bashkisë së re.

 

 

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/