Nuk pranuan të shkonin në mësimet e notit, për këtë arsye dy vajzave nga Bazeli u është mohuar dhënia e pasaportës zvicerane. Nxënëseve 12 dhe 14-vjeçare, u është hedhur poshtë kërkesa për natyralizim për faktin se nuk marrin pjesë në mësimin e notit dhe nuk duan të shkojnë në kampet që i organizon shkolla. Vendimin kundër dhënies së shtetësisë këtyre dy vajzave e ka marrë asambleja e qytetarëve me shumicë votash, transmeton albinfo.ch.

Kryetari i komisionit për natyralizime, Stephan Ëehrle ka thënë me këtë rast se “kushdo që nuk e përmbush një detyrim shkollor shkel rendin juridik kështu që nuk mund të natyralizohet”. Ndonëse ky vendim është precedent, Ëehrle është i sigurt se bëhet fjalë për një vendim të bazuar dhe se nuk do të ketë problem me ligjin. Për këtë ai thotë se ka mbështetje në vendimin e para disa kohëve të Gjykatës Federale, i cili e shpallte pjesëmarrjen në mësimin e notit në shkollë si pjesë të detyrimit shkollor. Duke e ditur këtë, madje, familja e dy vajzave ka hequr dorë nga ankesa.

Dy vajzat, përveç refuzimit të mësimit të notit, refuzojnë edhe t`u japin dorën mësuesve, ngjashëm me dy vëllezërit muslimanë (sirianë) nga Basellandi, çështja e të cilëve ishte bërë e njohur në opinion para pak muajve. Por, dhënia e dorës nuk është detyrim shkollor, ka thënë Ëehrle, kështu që, vetëm ajo, nuk do të kishte për pasojë mosdhënien e pasaportës.