Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka bërë publike të dhënat e flukseve hyrëse turistike për periudhën Janar-Korrik 2023, që janë mbi 5,1 milionë vizitorë, duke tejkaluar me 31% më shumë ato të së njëjtës periudhë të vitit 2022, i cili njihet si viti më i mirë ndonjëherë në bilanc shifrash.

“Vetëm për Korrikun, 1.7 milionë vizitorë të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, ose 26% më shumë krahasuar me një vit më parë”, shprehet ministrja Kumbaro.

Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja me më shumë se dyfishin e vizitorëve krahasuar me vitin që shkoi, Turqia me 142% më shumë, por vihet re edhe rritje e numrit të vizitorëve nga  Mali i Zi me 62% më shumë, Franca me 58% më shumë e Italia me 53% më shumë krahasuar me vitin që shkoi.

Raportohet rikuperim i vizitorëve nga Ukraina, duke shënuar 153% më shumë hyrje krahasuar me vitin 2022 dhe 152% më shumë vizitorë nga Kina, falë marrëveshjes së bashkëpunimit për heqjen e vizave midis dy vendeve dhe promovimin e ndërsjellë.

Gjatë vitit 2023, Shqipëria si destinacion turistik ka qenë në faqet e të përditshmeve më të lexuara dhe shumë prej produksioneve televizive më të ndjekura në botë si një vend me potenciale të mëdha për t’u zbuluar.