Më datën 6 prill, në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Tiranë do të luhen gjysmëfinalet e Ligës Ballkanike në basketboll për femra. Një ndër 4 ekipet e kualifikuara është edhe Teuta, që pas përfundimit të sezonit të rregullt, u klasifikua në vendin e katërt (8 fitore e 4 humbje për durrsakët).

Për pasojë, në bazë të formulës së Ligës Ballkanike, skuadra e renditur e katërta do të luajë me atë që është renditur e para. Kështu, në gjysmëfinale, Teuta do të përballet me bullgarët e Beroe, ndërsa gjysmëfinalja tjetër është ajo mes maqedonasve të Blokotehna dhe bullgarëve të Academic Bultex.

Teuta ka shansin që t’i luajë ndeshjen në "shtëpinë" e saj, duke qenë se për herë të parë Shqipëria mirëpret "final four" të Ligës Ballkanike, një event ku durrsakët marrin pjesë për herë të parë. Ekipet fituese të ndeshjeve gjysmëfinale do të luajnë më datën 7 prill në finale, ndërsa humbësit do të luajnë për vendet 3-4.

Liga Ballkanike – ½ finale

6 prill, Blokotehna – Academix Bultex, ora 17:00

6 prill, Beroe – Teuta, ora 19:30