Nga Shefqet Kërcelli

Për çdo detar e lundrues në Shqipëri e në botë është çudi e radhës kur dëgjon se, si mundet që ekuipazhi i një mjeti detar të lihet organikisht pa motorist. Dihet që zemra e çdo mjeti lëvizës në botë është motori, kudo ku këto mjete veprojnë, në det, në tokë dhe në ajër. Nuk dua të bëj James Wat-in, sepse njohuritë e mia në këtë fushë janë mesatare, por cilindo detar të pyesësh në botë, kur i thua që një anije apo mjet detar i çdo lloj tonazhi, nuk ka motorist, ai do ta kthejë:- Çfarë po thua? Si ka mundësi? Si do lundrojë e manovrojë ky mjet pa motoristin?!

Motori është zemra e anijes, dhe ta lesh motorin pa zot, do të thotë që t’i këtë anije do ta flakësh mes valëve të detit, atje midis ujërave në mëshirën e fatit. Ta mbytësh me paramendim. Mjerisht po ndodh tek ne. Konkretisht mjetet detare të Sektorit të Antikontrabandës Detare në Durrës, në varësi të Ministrisë së Financave, janë parashikuar që këtë vit të lihen organikisht pa motoristë, duke i zëvendësuar ata me inspektorë finance???  

Nuk e di kush i bën këto struktura apo organograma, siç i shkruajnë rëndom, por që të lesh anijen, motoskafin apo çdo mjet detar pa motorist, kjo është një handikap i vërtetë, nuk ta pranon asnjë rregullore e ligj i përdorimit e mirëmbajtjes së anijes kudo në botë. Kapiteni dhe motoristi i anijes, janë dy “direkët” kryesorë të anijes, pa mohuar rolin dhe rëndësinë e personelit tjetër të ekuipazhit.

Nuk e mendoja se nënvlehtësimi i vlerave morale dhe profesionale të detarëve tanë të arrinte deri në këtë pikë. Janë anatemuar dhe nënvlerësuar për 27 vjet, por ky është një mohim që kalon çdo kufi. Duke qëndruar përmbi dyzet vjet pranë detarëve shqiptarë, si botues i qindra shkrimeve për jetën dhe veprën e tyre, por dhe i dy librave të “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”, më vjen tmerrësisht keq kur dëgjoj veprime të tilla amatoreske dhe arbitrare të drejtuesve apo zyrtarëve përgjegjës që kanë të drejtën e vendimmarrjes.

Jemi popull me fat jo thjesht për kufirin detar që zotërojmë, por dhe sepse ne kemi numrin më të madh të detarëve të arsimuar për frymë në rajon e botë. Duke referuar statistikave që unë disponoj, kemi mbi 2000 lundrues me arsim të lartë, të aftë për punë, që kanë përfunduar studimet para dhe pas viteve 1990, brenda e jashtë vendit.

Tashmë dy Universitete, “Ismail Qemali” në Vlorë dhe “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kanë rritur cilësinë e nivelin e përgatitjes së kuadrove të ardhshëm detarë, duke përmirësuar çdo ditë kurrikulat dhe bazën didaktike. Por ç’ndodh në praktikë? 

Duke përjashtuar aktivitetin privat detar që mbijeton me vështirësi e sakrifica, ku janë punësuar dhjetra detarë shqiptarë, nëpër institucionet tona detare shtetërore, ku duhet të diskutohet veprimtaria dhe legjislacioni detar, eksperienca dhe praktikat botërore, nuk janë vendosur specialistë detarë, por militantë partiakë, e lloj-lloj të diplomuarish që ose e kanë parë detin me dylbi, ose e shijojnë atë vetëm për plazh.

Pra, në institucionet tona detare në vend të vijë era det e oqean, vjen era myshk, breshkë e kërpudhë. Këtë fenomen e shoh tek të gjitha institucionet tona detare. Detarët tanë janë vlerë kombëtare, pasi me punën dhe veprën e tyre është krijuar pasuria kombëtare dhe aktualisht mbahet gjallë gjysma e transportit dhe shkëmbimit të mallrave në vend.

Duke mos i caktuar njerëzit sipas aftësive profesionale, por mbi partickat dhe militantizmin, ndodh ky fenomen, largohen detarët nga detyra të mirëfillta funksionale, që mund t’i bëjnë vetëm ata dhe s’duhet t’i zëvëçndësojë askush. Popullorçe duhet thënë, mos ja hani bukën detarëve, se të zen! Ata e kanë lidhur jetën me detin që fëmijë.

Nqs ne themi do bashkëqeverisim me qytetarë e profesionistë, çdo teoremë e aksiomë do të thotë që në institucionet detare shqiptarë duhet qeverisur me detarë profesionistë, që fatmirësisht i kemi të çdo moshe e me nivel të lartë arsimor, kjo në shumicën e rasteve në sajë të përpjekjeve të tyre vetiake. 

Në librin “Antologjia e Detarisë shqiptare”, vëllimi i 2-të, përshkruhet gjerësisht historia e të gjithë institucioneve detare shqiptare, konkretisht dhe Antikontrabanda detare, fq.618-620. E shoh të arsyeshme ta citoj për lexuesit: “Antikontrabanda Detare si strukturë e Departamentit Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave {MF}, u krijua në nëntor të v.1998. Misioni i saj kryesor është Lufta kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal në det dhe Kontrolli dhe monitorimi i mallrave që lëvizin në hapësirën detare shqiptare. Këto operacione ky sektor i zhvillon në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Rojen Bregdetare, Kapitanerinë e porteve, etj. Mirë ose keq ata kanë vepruar paralel me institucionet e tjera ligjzbatuese të shtetit shqiptar dhe punën e tyre nuk jam unë ai që duhet ta vlerësoj. Theksoj se, mbështetur në misionin e kësaj strukture, në janar 1998, mbërritën nga Italia 4 Motovedetat e para, të cilët funksionalizuan operacionalitetitetin e kësaj strukture. Ndërkohë u specializua dhe personeli përkatës për përdorimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Në vijim ky sektor është pajisur dhe me mjete të reja, të cilat i kanë kushtuar partnerëve dhe shtetit shqiptar, miliona euro ose dollarë. Por, që këto mjete të jenë eficente dhe operacionale në det, duhen mirëmbajtur, duhen riparuar cdo ditë, muaj e vit. Kush e bën këtë? E këtë në radhë të parë e bëjnë motoristët, të cilët aparatçikët tanë i quajnë të panevojshëm?! Sa herë kaloj në ditët e pushimit pranë molit “0” të portit të Durrësit, shoh të gjithë detarët e Forcës Detare, Sigurisë Portuale, Policisë Kufitare e Antikontrabandës Detare duke i bërë shërbime mjeteve të tyre.

Me kominoshe e llërë përveshur ata i hyjnë çdo cepi të anijes, duke “garuar” me njëri-tjetrin, kush e kush ta mbajë më mirë mjetin e tij.  Jo më larg se një muaj, në prag të festës së pavarësisë, motoristët e mjeteve detare të Antikontrabandës, i bënë një profilaktikë të përgjithshme mjeteve të tyre. I shihje duke punuar ditë e natë, në shi e diell, duke i ngritur dhe ulur nga shkalla këto mjete, sikur t’i kishin të tyret. E pra, këta njerëz i duhen në radhë të parë shtetit shqiptar, që i shërbejnë anijes direkt, që përleshën çdo ditë më dallgët e detit, e jo ata që e shtyjnë ditën pranë kondicionerëve, me paga 4-fish më të larta, duke medituar për detin.

Kjo duhet të jetë filozofia e shtetit shqiptar, logjika profesionale e ekonomike. Ata që punojnë në terren të kenë përparësi, para zyrtarëve të paaftë e parazitë, që nuk e dinë ç’është milja detare dhe që janë shumë e më shumë në raport me ata që janë direkt në det. Jo vetëm kaq, por personeli i anijeve të Antikontrabandës, Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare, etj, është trajnuar për vite me radhë nga partnerët tanë italianë, amerikanë dhe evropianë? Ku do gjejmë njerëz të tillë?  Goca me një diplomë të marrë kushedi si, halldupë, parazitë e militantë zyrash, që e kanë ndërtuar karrierën mbi servilizimin dhe paaftësinë gjen sa të duash sot në zyrat e administratës shtetërore, por BURRA të aftë që t’i dalën zot anijes e detit, gjen pak. Kush vlen më shumë atëherë? Përgjigjen e japin më mirë detarët shqiptarë.

Në vend të epilogut

Po bëja rrugën nga Kapitaneria për tek hyrja e portit Durrës, kur rastësisht, më del para detari i vjetër durrsak Hasani, i cili e kishte dëgjuar këtë muhabet. E kisha parë gjithmonë të qetë, shpesh më tregonte histori për detin dhe të kaluarën e tij ulqinake. Më ka shqetësuar kjo histori më thotë. Si mund të heqësh motoristin nga anija?! Kush i bën këto? Jam dhe votues i kësaj qeverie. Me sa po shoh drutë e shtrembër e kanë venë para drurin e drejtë dhe ky po vjen vërdallë e s’di ku të futet. Mjerisht kjo po ndodh në administratën tonë nga lart e deri poshtë.

P.s. Si një dashamirës i detit dhe një nga organizatorët e Konferencës së I-rë të Rojes Bregdetare në maj 2003, një konferencë e nivelit të lartë nga pjesëmarrja dhe problematika, jam dakord që vullnetarisht, të ndihmoj çdo institucion detar për të organizuar një Konferencë Kombëtare për detin, ku të vihet pika mbi “I”, për detyrat dhe përgjegjësitë e çdo institucioni detar. Pavarësisht nga situatat e krijuara mendoj pozitivisht dhe kam besim se kjo çështje do gjejë rrugën e zgjidhjes nga vendimmarrësit përkatës, të cilët duhet ta gjykojnë atë objektivisht për të mirën e punës. Motoristët duhet të jenë atje ku i takon, në shërbim të anijes. Ata nuk janë kundër reformave. Duhet gjetur vendi ku të bëhen këto reforma, bazuar në studime reale. Ndryshe, nqs largohet personeli motorist, këto mjete për një vit dalën jashtë përdorimit. Kështu shteti shqiptar humbet miliona. Për të njëjtat anije shteti italian paguan një kryemotorist dhe një motorist, pra dy persona, ndërsa ne dhe një që kemi duam ta largojmë. E pra, kështu i bie që të kjo të jetë çudia detare e radhës alla shqiptare.