Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që ranë në Durrës, Policia ka devijuar qarkullimin rrugor në akset më problematike të qytetit.

Te stacioni i trenit ku niveli i ujit ka kaluar mbi 40 cm, nuk bëhet më rreth-rrotullimi, por kalohet vetëm në një sens rrugor vajtje-ardhje.

Policia e qarkullimit rrugor, pavarësisht shiut të dendur e rrugëve të përmbytura, ka dalë në rrugë për të disiplinuar trafikun e automjeteve që kanë mbetur të bllokuara.

Shefi i Qarkullimit Rrugor të Durrësit, në një komunikim për “DurrësLajm”, iu bëri apel strukturave të emergjencave civile që të vihen në krye të situatës.

“Nuk ka asnjë punonjës të emergjencave civile, s’kanë dalë asnjë përfaqësues e punonjës i tyre aty ku i thërret detyra. Është turp i madh që e presin menaxhimin e situatës vetëm nga punonjësit e policisë. Është barrë e madhe për ndihmën që duhet t’u japim njerëzve në rrugë, dhe po ashtu edhe makinave”, ishte apeli i ngritur.

“DurrësLajm” ka qenë në disa akse rrugore të Durrësit: te stacioni i trenit ku ishte devijuar kalimi dhe niveli i ujit ishte minimalishrt 40 cm nën ujë. Situata paraqitet kaotike dhe trafiku tejet i rënduar: deri te kryqëzimi i semaforit te Rrota e Qerres, rruga është e pakalueshme në sensin Durrës-Tiranë. Ndërsa nga Ura e Dajlanit e në hyrje të Durrësit trafiku i automjeteve është shumë i ngarkuar.

Situata paraqitet problematike në zonat kyçe të Durrësit, që përmbyten sa herë bie shi me intensitet të lartë: shëtitorja “Taulantia”, rruga “Aleksandër Goga”, zona te stadiumi, te stacioni i trenit, lagja nr.13, Shkozeti etj.