Efektivë të policisë së Durrësit janë duke mbajtur nën mbikqyrje dy familjet Gjokazaj dhe Lala në zonën e Spitallës.

Një ditë më parë, dy adoleshentët Anxhelo Gjokazaj dhe Devi Lala u përfshinë në një sherr verbal që u mbyll me plagosjen e rëndë me thikë të 16-vjeçarit Gjokazaj, i cili humbi jetën pak orë më vonë në spitalin e Durrësit.

Policia i trembet faktit se konflikti mes familjeve mund të përshkallëzohet. Familja e viktimës është nga Oroshi i Mirditës dhe është vendosur prej disa vitesh në Durrës, ndërsa familja Lala është me origjinë nga Sukthi.

Të dyja familjet banojnë në zonën e Spitallës, ku dhe u regjistrua konflikti tragjik që i mori jetën 16-vjeçarit Gjokazaj.

Pasditen e së premtes, gazetarja e DurrësLajm ishte në shtëpinë e familjes Gjokazaj, që tashmë ka hapur dyert e zisë. Familjarët e Anxhelos nuk dinin arsyet e grindjes mes adoleshentëve, madje ata theksuan se kanë qenë kalimtarë të rastit që e kanë dërguar me urgjencë në spital të plagosurin.

Sipas xhaxhait të viktimës, Anxhelo kishte shkuar me 5 minuta vonesë në shkollë dhe për këtë arsye mësuesja nuk e kishte pranuar. Nxënësi i shkollës “Hysen Çela” ishte në lagje, në momentin kur u përfshi në sherr me fqinjin e tij Devi Lala.

Në dëshminë e tij në polici, ky i fundit deklaroi se sherri kishte nisur për motive të dobëta.

“U ktheva në lagje, aty ku rri gjithnjë. Aty u hasa me Anxhelon. Po më shikonte. Pse më shikon i thashë, ka ndonjë gjë për të parë?! Ai më ofendoi, më shau. I thashë, pusho se do ta pësosh keq, ai vazhdonte të më shante. Edhe unë nisa ta shaja dhe u përleshëm fizikisht. Në një moment nxorra thikën dhe e qëllova disa herë. Nuk më kujtohet se sa herë i qëllova, pasi isha në gjaknxehtësi e sipër. Por pashë që mbeti i shtrirë në tokë dhe u mbulua nga gjaku. Në këtë moment u tremba dhe u largova, pak metra më tej hodha thikën në një kanal. Nuk kishim ndonjë konflikt, thjesht antipati për njëri-tjetrin”,- ka treguar 17-vjeçari versionin e tij për ngjarjen tragjike të konsumuar mesditën e së premtes.

Adoleshenti Anxhelo Gjokazaj pritet të përcillet gjatë ditës së sotme për në banesën e fundit.