Një sasi prej 105 kg marijuanë është sekuestruar nga policia gjermane në Drezden dhe në Hannover duke çuar në pranga 6 shqiptarë të moshave nga 19 deri në 32 vjeç. Gazeta gjermane "Bild" shkruan se droga kap shifrën e 900 mijë eurove në tregun me pakicë.

Detajet e operacionit të zhvilluar të hënën në mëngjes u bënë me dije sot nga prokuroria e Hannoverit, e cila ka zhvilluar kontrolle në 7 ambiente të kryeqytetit të shtetit dhe në qytetin Laatzen.

Pasi policët arrestuan fillimisht gjashtë persona në dhe rreth banesave, ata gjetën një sasi prej 105 kilogramë marijuanë në një apartament në Laatzen, duke e konfiskuar atë.

Përveç kësaj, hetuesit sekuestruan telefona të ndryshëm celularë, karta sim, një shkop, disa thika, 12,000 euro dhe 65 gram kokainë. Ndaj gjashtë të dyshuarve meshkuj (32, 23, 21, 20, 20 dhe 19 vjeç), do të vendoset sot masa e sigurisë nga gjykata, ndërsa ndaj 23 vjeçarit kishte një urdhër dëbimi.

"Bild" shkruan se droga ishte e vendosur në kuti të mëdha kartoni në mes të apartamenteve, ndërsa tregtarët nuk u shqetësuan shumë për ta fshehur atë. Operacioni për arrestimin e tyre u zhvillua pas disa javë hetimesh.