Policia e Durrësit informon se personi që u përplas sot nga treni i udhëtarëve i linjës Durrës – Elbasan, ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Bëhet fjalë për pushuesin nga Kosova, shtetasin A.A. 39 vjeç.

DurrësLajm” informoi më herët se 39-vjeçari u aksidentua pasi tentoi të shpëtonte qenin që po qëndronte në shinat e trenit. Ai ndërhyri në momentin e gabuar pasi në atë kohë erdhi treni dhe e përplasi.

Informacioni paraprak:

Më datë 19.08.2018, në lagjen Nr.13, Durrës treni i udhëtarëve i linjës Durrës – Elbasan ka goditur shtetasin A.A. 39 vjeç, banues në Kosovë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

*Ky është rasti i dytë gjatë 3 ditëve të fundit që regjistrohet një aksident hekurudhor në Durrës. Të premten, një familje prej 6 anëtarësh, 4 prej të cilëve fëmijë të mitur, u përplasën me makinë nga treni në zonën e Shkëmbit të Kavajës, por fatmirësisht pa pasoja serioze.