Ç’është poezia?

Postuar: 08/04/2018 - 10:59

   Nga Gladiola JORBUS

Poezia, ashtu si letërsia dhe artet e tjera në përgjithësi është e lidhur me kohën kur jetojmë. Ajo është lehtësisjt e ndjeshmendaj ideve, shijeve estetike, tendencave, vlerave dhe paragjykimeve të kontekstit bashkëkohor. Internet dhe teknologjia tejet e avancuar e kanë zhytur njerëzimin e këtij shekulli në honet e një adoleshence të pambarimtë,para së cilës poezia është strukur dhe I duhet të kalojë Golgotën që të konsiderohet një perëndeshë, ashtu siç është në të vërtetë nga lexuesi I sotëm.

Poezia mbetet e paparashikueshme, fantazma kapricioze e kujtesës në luftë me ëndrrën, të qenit simultanisht në disa vende. Poezia realizohet në vetvete duke pranuar përvojën jetësore të lexuesit, mbetet e vetmja që të ofron fjalën e lexuar dhe imazhin në parametrat e kuptimit intelektual, shqisor dhe emocional. Të gjitha ekspresionet metaforike të përmbajtjeve njerëzore që I korrespondojnë skemave të caktuara stilistike janë realisht poezi. Fjala e krijuar, e fabrikuar, e kompozuar që I jep dritë, kuptim e plotësi; ndjenjës, perceptimit, shqisës a ndjesisë.

Po në fakt, ç’është poezia? Kjo pyetje të vë me shpatulla pas murit, edhe nëse ti ke shkruar vetë poezi, ke lexuar, ke takuar poetë (personalisht veçoj ditët e kaluara me gjnitë e mëdhenj krijues Ali Podrimja e Agim Gjakova gjatë ditëve të paharruara të festivalit “Poeteka 2008” apo ke shfletuar pamflete të tëra mbi këtë argument. Ndoshta poezia luan kukafshehtas me ne, teksa lind fëmijët e saj,I mëson paksa të ecë dhe më pas zhduket; fluturon drejt qiellit a drejt thellësive të detit; këtë çast sublime sa një pulitje sysh, e mbartim me vete si enigmë. Teksa shkruaj këto mbresa jam përballë madhështisë së Adriatikut, që për shekuj me radhë dallgëzoi mbi vete fatin antic të Epidamnusit, Dyrrachiumit e Durrësit të sotëm. Dallgët e tij ngjasojnë me dallgëte jetës që ngultas të çojnë në kapërthimet e përqafimet e ekzistencës poetike, dramatike e tragjike të individualitetit të qenësishëm krijues. A qenka vallë poezia, jeta që lëvrin në majën e lapsit?! Përcjell vargjet:

“Tashmë e di,

Nuk është e lehtë të besosh,

Nuk është e lehtë të jetosh,

Nuk është e lehtë të vdesësh

Dhe as të dashurosh…

E lehtë nuk qenka,jo

Të ndahesh nga kjo botë.

Sytë e zemrës qajnë

Për fjalët që s’thanë dot”…

(Kushtuar të ndjerit babait tim)

Kur shkruan poezi, lind dhe paradoksi i madh. Nuk shkruhet ajo që ti di, por ti fillon të dish, kur nis të shkruash. Poezia është vetëdije, zgjim,rikthim; ajo gëlon, formësohet, kërkon të flaës.ngarkesat emocionale kërkojnë vazhdimisht hapësira të reja për t’u shprehur. Ndjesitë e harruara, për të mos thënë të harruara, rikthehen në jetë, kur ne bëjmë pikërisht këtë udhëtim brenda vetes. Atëherë I rikthejmë lirinë, I heqim prangat shpirtit a esencës sonë më të përkryer, më afër hyjnores.

Poezia na bën më të ndjeshëm, më të dëlirë, më vulnerabël; është proces krijimi ku ti, një lloj perëndie krijues kompozon fjalë të unifikuara nga tingujt e muzikaliteti. Poezia është liri, pavarësi, dashuri, nuk njeh limite; poeti misionar, poeti që shkrihet për të dhuruar dritë si qiriri naimjan, poeti që ushqen me gjakun krijues lasgushian – nositët e tij lexues.

Përtë shkruar një poezi të çiltër, të bukur, të ndjerë nuk të shërbejnë as diplomat, as titujt shkencorë, as studimet akademike; mjafton thjesht të dish, të njohësh veten, (siç shprehej dhe Sokrati shekuj më parë) e më pas të deshifrosh sekretet e fshehura në meandret e shpirtit.

Vëllimet poetike femërore janë vetë dashuria, poezia që krijohet nga arketipi femëror. Lindja e çdo arti është bekim e shpëtim, por poezia mbetet zotëruese e emocioneve, strehëz dashurie, ku jeta vdes dhe ringjallet sërish. Poezia zbulon pentagramin intim, zërin vetjak, tek ajo spikat plotshmëria e imazheve të fuqishme bashkëkohore, poezia është natyra që flet, që zbulon ekzistencën e saj; pafundësinë e gjallesës që lëvrin në të…

Poezia nuk dorëzohet, s’përpëlitet, nuk regëtin/ ajo ushqehet veç me kurajo, besim, ëndrra e shpresë, me vetë shpirtin e atij që shkruan, sepse te secila syresh, pra poezi evidentojmë delirimin, fjalë, togfjalësha që i largohen tokësores e empirikes. Shpeshherë, krijimtaria mund të jetë një formë a mënyrë rebelimi kundër privimit, represionit e diskriminimit. Poezia duhet konsideruar si një res communes i njerëzimit, emëruesi I përbashkët humanist, teksa me finesë e përmbyll fjalën e saj, ashtu si femrat e përmbyllin hijshëm jetën brenda mitrave të tyre.

 

Përralla e dashurisë

Dashurinë e vodha nga një përrallë

Nën lëkurën e një tjetri jam.

Oh! Hiqmani këtë kurm!

S’e dua më, tash jo.

Këmbët e mia, krahët

Me forcë po i shqis,

Fytyrën, vijëzimet e duarve,

Me endje i gris.

Plot aromë të njomë aguliçesh

Shpirtin flladis.

Në ujëra të qashtra kristal,

Rizgjohem Narcis.

Oh, dashuri! Si prafullimë

Xixëllon në damarët e mi.

Moj Zanë idhnake,

Nuk jam aspak ,

Më e paktë nga ti.

“Par excellence” e përkufizojmë poezinë si një zhanër letrar, I cili manifeston bukurinë ose sentimentin estetik, përmes fjalës në vargje a prozë poetike. Poezia vjen nga greqishtja ποίησις / kjo merret apriori dhe përkthehet veprim, krijim, deri këtu biem të gjithë unanimisht dakord, por unë në pikëpamjen time a vetëdijen time, fjalën poezi e ndaj në tri rrokje /po -  e – zi/, pra brenda kujtdo poeti diçka po zien, po bluhet, po mbarset, po ngjizet. Poezia është një formë komunikim autor – lexues, ndonjeherë e krahasueshme me manikeizmin, rrymë në shekullin III, pas Krishtit, e cila mbështetej mbi besimin radikalisht dualist të dy parimeve bazë: Drita dhe Errësira, sa të ndryshme aq dhe koherente, sa të pavarura aq dhe kontrastuese, që influencojnë e prekin çdo aspect të sjelljes dhe të ekzistencës njerëzore.

Poeti rrëmon gjithçka, shfaqet shenjtor, profet, sheh me sytë e shpirtit, ka intuitë artistike, është një medium që frymëzon, shëron, rrëfen, parandjen, endet në hapësirat e lirizmit, mih fjalën,kadencën, vargun,poezinë vetë. Çdo poet mbart gurgullimën e vendlindjes brenda zemrës dhe vargjeve të veta;poetët shqiptarë e endin poezinë në pëlhurën e çmueshme të gjuhës shqipe. Trekëndëshi poezi – gjuhë shqipe – figura stilistike na çon në një deduksion :” Mjerimi fillon aty ku librat mbarojnë”. Poezia është zëri i botës, një lashtësi pa kronologji apo siç shprehet Octavio Paz: “Meriton atë që ëndërron”, kurse unë do të deduktoja se “Duhet të shkruajmë bukur, që të ndihemi bukur, e kështu do të jetojmë bukur”.

Ndaj pyetjes madhore ç’është poezia i përgjigjem thjesht, se në këtë botë shifrash marramendëse, ku morali dhe vlerat vuajnë kriza identiteti, alegria e fjalës poetike është e vetmja puhizë e freskët që i sjell oksigjen shpirtit të munduar nga pikëllimet, shqetësimet, dyshimet dhe dilemat ekzistenciale.

 

Jam poezi

Jam kurora e hënës

Një perëndim i zhytyr thellësive.

Jam një lug i gjerë,

murrak e vrungullues.

Mes dhembjes e lumturisë,

mes mëkatit e shenjtërisë

Bëhem vello e gjatë

mbi ëndrra të bardha.

Ngjizur ndër tinguj,

mes vargjesh kreshpëruar.

Si pëshpëritje dashurie

Mbi buzën e nxehtë të gruas.

Jam fantazma binjake

E kupës qiellore

Kështjell’ e fjalës krenare

E brishtë, e pamposhtur, idhnake.

Jam poezi.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Është çelur në Durrës edicioni i tretë i panairit ndërkombëtar të librit shqip “Durrës Script”.

   “Historyextra” faqja zyrtare e “BBC History Magazine” dhe “BBC Histories Magazine”, i ka kërkuar lexuesve që të votojnë për gratë që k

Në datën 9 gusht ora 19.00 në shëtitoren Taulantia të Durrësit çelet edicioni i tretë i Panairit Ndërkombëtar i Librit Shqip “Durrës Scri

Visar Zhiti, poet dhe shkrimtar i njohur, ish i burgosur i komunizmit, thotë se duke i hedhur atij prangat, Shqipëria burgosi veten e saj

Ditën e djeshme është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, Gaqo Çako.

   Ndahet nga jeta në moshën 83 vjeçare artisti i popullit Gaqo Çako.

Këtë fillim muaji, për të tretin vit radhazi në qytetin e Durrësit do të organizohet panairi ndërkombetar i librit “Durrës skript”.

Një nga firmëtarët e letrës kundër shembjes së Teatrit, Guljelm Radoja, ka folur për herë të parë për këtë çështje, gjatë protestës së zh

Pak ditë më parë ndërroi jetë aktori i humorit, i vlerësuar me titullin "Artist i Merituar", Fadil Hasa.