799 turistë të huaj nga 27 vende të botës kanë mbërritur sot paradite me kroçerën “Prinsendam” në portin detar të Durrësit. Kjo është kroçera e dytë në portin më të madh të vendit që nga fillimi i tetorit, ndërsa brenda muajit priten edhe tre anije të tjera të mëdha turistike.

Sipas burimeve të agjencisë pritëse “Intermed Shiping” 350 turistë të kroçerës që mbërriti sot në Durrës vijnë nga SHBA, 157 nga Kanadaja dhe 100 nga Hollanda. Pjesa tjetër janë shtetas nga Australia, Britania e Madhe, Rusia, Argjentina, Brazili, Belgjika, Kina, Spanja, Franca, Peruja, India, Meksika, etj.

Anija me gjatësi 205.5 metra u ankorua pa probleme rreth ores 7.30 në kalatën 5 të portit. Kroçera “Prinsendam” është ankoruar për herë të parë në Durrës në vitin 2012 dhe nuk i ka ndërprerë lundrimet vjetore drejt qytetit shqiptar.

Turistët e huaj nisën menjëherë turin e vizitave në qytetet e Durrësit, Krujës dhe Tiranës. “Prinsendam” do të largohet nga Durrësi sot rreth orës 18.00. 

Kroçera "M/S Prinsendam", e ndërtuar në vitin 1988 në Finlandë, lundron me flamur hollandez. Kapaciteti i saj akomodues është rreth 800 pasagjere. Anija ka një ekuipazh të përgjithshëm prej mbi 400 vetë.