Autoriteti Portual Durrës njofton se moti i keq dhe deti i trazuar gjatë natës së kaluar nuk kanë krijuar probleme në lundrimin e trageteve nga porti i Durrësit drejt Barit dhe Ankonës dhe anasjelltas.

Një traget është nisur mbrëmë nga Durrësi drejt Ankonës rreth orës 18:50, ndërsa dy të tjerë kanë lundruar drejt Barit sipas orarit të parashikuar rreth orës 22:15.

Po ashtu, dy tragetet nga Bari kanë mbërritur në Durrës sot rreth orës 6:30, duke shmangur fortunalin që pritet pas disa orësh.

Në Dispeçerinë e APD mësohet se gjashtë anije tregtare me 15,580 t mallra të ndryshme, si dhe 446 kontejnerë vazhdojnë të po përpunohen në tre Terminale.

Nga anijet “Abo Alyssa”, “NS Union”, “Raptor” dhe “Moo” sot paradite po shkarkohen çimento, grurë, hekur dhe skrap, ndërsa në molin 10 anija “Grit Cement” po ngarkon 3,700 ton çimento për eksport.