Në prag të stinës së dimrit, reshjet e para të shiut sollën në vëmendje të qytetarëve problemin e madh të rrëshqitjes së dherave nga kodra e Currilave në drejtim të rrugës “Taulantia”.  Kanë mjaftuar vetëm pak reshje shiu gjatë ditëve të fundit që në këtë aks të konstatohet rrëshqitje dheu dhe prezencë e baltës në rrugë.

Dherat e kodrës kanë përfunduar në asfalt, pasi kanë kaluar mbi shëtitoren e betonit që ka ceduar disa metra në disa vende.   

Shetitorja rrëzë kodrës, për shkak të dëmtimit, është jashtë funksionit dhe po ashtu edhe trotuari i ndërtuar, i cili është zhvendosur disa metra në rrugën e asfaltuar.   

Bashkia e Durrësit nuk ka planifikuar asnjë investim për këtë kodër, duke ia lënë fatin e saj në dorë qeverisë.

Një gjë është e sigurt, ai vend shlodhës për qytetarët e Durrësit nuk është më.

Në sipërfaqen e kodrës bregdetare të Currilave duken tashmë vende-vende gropa të mëdha të krijuara si pasojë e shkëputjeve të dherave.

Terreni në këtë pjesë të kodrës është i thyer dhe thuajse bie pingul mbi det. Edhe ato pak pemë të mbjella e të kultivuara janë  shembur në rrugë për shkak të rrëshqitjes, duke e lënë lakuriq të gjithë faqen e kodrës.

Edhe muret mbrojtëse, kabllot e energjisë elektrike, ato të ujësjellësit dhe telefonit kanë përfunduar copa-copa të shpërndara gjithandej.

Që nga koha e ndërtimit të lokaleve buzë detit përgjatë gjithë gjatësinë së rrugës nga Brryli për në Currila, kjo shëtitore mbetet më e frekuentuara nga qytetarët durrsakë. 

Edhe investimi 2 milion euro i realizuar në faqen e kodrës nuk e zgjidhi problemin e rrëshqitjes së dheut. Situata mund të përkeqësohet edhe më tej, me intensifikimin e reshjeve të shiut.

K.H.