Nga Shefqet Kërcelli

Ka mëse dy vjet që qytetit tonë bregdetar, Durrësit, i është shtuar një qendër e rëndësishme për zhytje nënujore, një sport tepër i dashuruar tashmë nga mjaft dashamirës të thellësive.

E vendosur thuajse në mesin e shëtitores “Taulantia”, pranë kompleksit “Ventus Sports Center”, qëndra “NOVA DIVING CENTER”, po grumbullon çdo ditë të apasionarit e zhytjeve, këtij sporti sa të bukur aq dhe burrëror.

Po kush është protogonisti i kësaj qëndre?

Ai është djaloshi durrsak Denis Nova, i cili qysh në fëmijëri është zhytur me moshatarët e tij, në ujërat e Adriatikut, pranë zonës së bërrylit e Currilave. Këtu u kultivua ëndrra e tij fëmijënore për të qenë pjesë e misterit që bart deti në thellësitë e tij. Pjesë e kësaj ëndrre ishin dhe vizitat e përhershme në portin e Durrësit, ku Denisi u njoh jo vetem me anijet, levizjet e tyre në këtë port, por pa konkretisht jetën e detarëve e punëtorëve të këtij porti, një pamje që i la mbresa të pashlyeshme në kujtesën e tij për vite me radhë.

Kujtimet e zhytjeve në batllat e Currilave dhe portin e Durrësit e shoqëruan Denisin dhe gjatë emigrimit të tij familjar në Itali. Kështu krahas punës si emigrant, Denisi filloi kualifikimin si zhytës, duke i kaluar të gjitha etapat për t’u bërë zhytës profesionist. Mbas disa vitesh pune, eksperience, trajnimi e arësimimi në këtë fushë, Denisi vendosi që këto njohuri dhe zanatin e përvetsuar me aq mund e përkushtim, ta ushtrojë në qytetin e Durrësit, për t’ia transmetuar bashkëqytetarëve të vet.

Kështu të ardhurat që fitoi në sajë të punës së tij të vështirë, Denisi vendosi t’i shpenzojë për përgatitjen e zhytësave në Shqipëri dhe ushtrimin e turizmit nënujor.

Për këtë, ai solli të gjitha pajisjet e nevojshme nga Italia, bashkë me literaturën përkatëse të trajnimit të zhytësave të rinj.

Mbasi kaloi një sërë procedurash herë-herë burokratike të shtetit tonë, tashmë “NOVA DIVING CENTER”, ka marrë pamjen e saj të plotë dhe funksionon normalisht, si një qendër e kualifikuar për trajnimin dhe certifikimin e zhytësave tanë.

Cdo ditë në qendër dhe ambientet e saj gjejmë qytetarë vendas e të huaj, të cilët janë kurreshtarë dhe të interesuar për të parë pajisjet e zhytësit, por dhe për të mësuar diçka rreth këtij sporti.

Denisi me shokët e tij, me thjeshtësi, durim e pasion, ju tregon gjithçka që u intereson, që nga diplomat e dëshmitë e tij të shumta, të njohura ndërkombëtarisht, bombulat, pajisjet dhe veshjet e polumbarëve, deri tek literatura më e re për trajnimin e njerëzve të thellësive.

Në përgatitjen dhe vënien në funksion të qendrës, Denisi ka hedhur hapa të matur dhe konkretë. Aktualisht qendra siguron kushte për trajnim teorik në kompleksin “Ventus Sport Center”, ku është zoti Ervin Myshketa, si dhe trajnim praktik në pishinën olimpike Durrës, në det ose liqen. Për këto zhytje qendra siguron falas literaturën dhe pajisjet e duhura.

Gjithashtu qendra siguron plotësisht kurse të plota për trajnimin e zhytësave të rinj, në disa faza. Në ambientin e tij të punës, mjeshtëri i zhytjeve Denis Nova, na shpjegon programet e trajnimeve për nivelin fillestar, faza e I-rë, kohëzgjatjen, programi teorik dhe praktik, i cili përmbledh 3 leksione teorike, 3 zhytje në ujëra të kufizuara ose pishinë, 2 zhytje në det, siguracion për kursantin gjatë trajnimit dhe pajisjen me patentë si Zhytës SCUBA DIVER PADI. Këto ditë ai ka formuar dhe grupin e parë të përgatitjes së zhytësave. I gjejmë këta zhytës të rinj, duke ndjekur leksionin e parë në kompleksin sportiv Ventus, ku ka kushte optimale për zhvillimin e mësimit.

Në këtë grup përfshihen mjaft të apasionuar të këtij sporti, si zotërinjtë Mimi Ziu, Florian Sabahu, Dorian Shpuza e Saimir Bregu nga Durrësi, por dhe Alket Camaj nga Shkodra, Elton Mirukaj nga Lezha, etj.

Ka mjaft shqiptarë që duan të prekin thellësitë dhe fundin e detit, duke përdorur pajisjet moderne të zhytësit që ofron falas kjo qender.

Ndjek një orë leksioni të këtij kursi fillestar, ku Denisit rrjedhshëm e qartë, shpjegon njohuritë që duhet të ketë një zhytës në këtë fazë, që nga zhytja e lirë, njohja dhe përdorimi i pajisjeve, bombulës e veshjes të polumbarit, relaksi dhe vështirësitë që ka ky sport. etj.

Kualifikimi i nivelit të lartë dhe eksperienca shumëvjecare e Denisit, bën që grupi i parë i zhytësave të rinj ta ndjekë me vëmendje çdo shpjegim të tij, të ilustruar dhe me video.

Kryesore e këtij formimi thotë Denisi, është kontrolli mjekësor dhe sigurimi i jetës për cilindo që merret me zhytje. Jo kushdo mund të ushtrojë këtë sport. “Ndaj ne si qendër, këtë problem e kemi në plan të parë dhe para se të fillojë kursi, bëhet kontrolli mjekësor i cdo personi”, nënvizon mjeshtër Denisi.

Ndërkohë qendra afron mundësi kualifikimi dhe për nivele të tjera të përgatitjes së zhytësit si dhe aktivitete të ndryshme nënujore, përfshi turizmin nënujor.

Le t’i urojmë suksese kësaj fidanishte të përgatitjes së zhytësave të rinj shqiptarë, që njëkohësisht zhvillon dhe pasuron më tej traditën e zhytjes së kombit shqiptar.