Jeta e një vajze në moshë shumë të re, u kthye përmbys dhe u trazua kur policia e Durrësit i vuri prangat në muajin prill të vitit 2023. Ajo u arrestua së bashku me një grup djemsh të cilët akuzoheshin për shpërndarje të drogërave të forta në qytet, por e reja u la e lirë menjëherë nga togat e zeza sapo dolën në seancën e parë gjyqësore për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërsa djemtë vijojnë të mbeten në burg.

Fakti që vajza në fjalë shqërohej me njërin prej djemve të akuzuar, bëri që ajo të dyshohej nga policia si pjesë e këtij grupi, por gjithçka u hodh poshtë në seancat e vazhdueshme gjyqësore.

Por çfarë ndodhi ditën e arrestimit? Menjëherë aty nis saga e traumës piskologjike që përjetoi ajo së bashku me familjarët e saj dhe këtu peshën kryesore e kanë MEDIAT. Përveç ngjarjes së rëndë me të cilën duhej të përballeshin gjatë atyre 48 orëve deri në momentin e daljes nga qelia, familjarët e saj u duhej të ndesheshin paralelisht dhe me një lumë lajmesh “sensacionale” që vërshuan të publikoheshin nga mediet kryesore në vend.

Pas publikimit të njoftimit të policisë, shumë prej medieve online (nisur edhe nga mania e thithjes së sa më shumë klikimeve) nxituan të botonin me tituj bombastikë foto+video të saj duke i marrë nga “Instagram” dhe “Tik Tok”, për të treguar jetën “luksoze” që vajza në fjalë kishte publikuar në profilin e saj pa qëllime mediale.

Raste të shpeshta dhe forca mediatizuese…

Ky nuk është rasti i vetëm, shpesh përballemi me të njëjtat lajme në mediet online sapo ka arrestime. Tendenca e mediave është të shkojnë drejt lajmit të fundit pikant sa më shumë tërheqës, duke shkelur parimet profesionale dhe duke mosrespektuar as parimin e prezumimit të pafajësisë, përderisa deri në kohën e publikimit të artikullit nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë.

E veç kësaj shkeljeje të rëndësishme, mediet shpërfillin ndjesinë njerëzore dhe lëndimin publik që iu bëhet këtyre personave, i cili mund të ndodhë që të jetë edhe dramatik.

E kontaktuar nga “DurrësLajm”, nëna e vajzës thotë që ngjarjen e kanë përjetuar rëndë dhe këtu bën fajtore mediat.

“Publikimi i fotove dhe videove të vajzës, të marra nga rrjetet e saj private sociale, ka ndikuar jashtëzakonisht keq si te vajza në radhë të parë, padiskutim edhe te ne si prindër. Jemi lodhur shumë nga kjo ngjarje, që njollosi emrin e vajzës padrejtësisht, por do të ndjekim me rrugë ligjore tanimë atë që të gjithë mediat duhet të bëjnë pasi pamjet ende qarkullojnë në rrjet.”

Çrregullime emocionale deri në depresion…

Për Igla Tafilin, me profesion Psikologe, e cila u njoh me rastin konkret, një situatë e tillë çon në vuajtje të forta psikologjike, deri në konfuzion të identitetit social.

Igla Tafili, Psikologe

“Ankthi social do të ishte përgjigjja më e pritshme e manifestimit të vuajtjes psikologjike menjëherë pasi individi është ekspozuar ndaj një situate të tillë. Duke parë sesa të pamëshirshme mund të jenë komentet në rrjetet sociale dhe sa paragjykuese bëhet shoqëria kur u serviret një fajtor me fotografi dhe emër, tërheqja nga çdo komunitet apo ambient që kërkon interaktivitet social është një përgjigje e pritshme ndaj traumës së pësuar. Marrëdhëniet fillojnë të ndërtohen mbi paragjykimin e një aktakuze; miqtë, familjarët, fqinjtë, të njohur e të panjohur, që kanë gjithmonë diçka për të thënë në situata të tilla, e shtyjnë viktimën të izolohet gjithmonë e më shumë derisa të shkëpusë çdo lidhje sociale dhe ndjenjat e pasigurisë, frikës, dështimit, fajit, turpit i lënë vend çrregullimeve shumë më të rënda emocionale si depresioni. Të jetuarit në një ambient që të kujton çdo moment implikimin me ligjin, në një shtet si Shqipëria ku gjithkush njeh gjithkënd dhe secili di diçka për dikë, mund ta çojë vuajtjen psikologjike të viktimës deri në pikën e konfuzionit të identitetit social. Viktima fillon të përvetësojë mendimet e të tjerëve dhe e sulmuar nga ndjenja e turpit, e fajit, ja atashon identitetit të saj duke e bërë veten fajtore dhe duke qenë një publik edhe më i ashpër ndaj vetes sesa ata që gjykojnë nga jashtë. Ky ndryshim në vetëkonceptim i hap rrugën një kalvari të gjatë vuajtjeje psikologjike, metodash të pashëndetshme të përballimit të stresit, të përgjigjes ndaj tij dhe potencalisht, një udhëtimi të gjatë drejt gjetjes së vetvetes dhe shërimit”, shpjegon psikologia Igla Tafili për “DurrësLajm”.

Shkelje që duhet të marrin fund

Teknologjia dhe mediat e reja kanë përshpejtuar ndikimin e informacionit duke e përhapur me një shpejtësi dhe intensitet më të madh dhe si i tillë ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, pushteti i medias shpesh keqpërdoret deri në atë masë saqë vetë funksionimi i demokracisë kërcënohet. Ndaj, rëndësia e vetërregullimit po bëhet gjithnjë e më urgjente në një peizazh mediatik që kërkon ndryshim. Gazetarët duhet të respektojnë ndër të tjera nderin dhe reputacionin e individëve dhe të drejtën e individëve për privatësi.

Ndaj sa më parë duhet stopuar abuzimi dhe shkelja e etikës, kurdo dhe kudo!

S.L.