Nga Gëzim Kabashi

Prof. Zef Chiaramonten e kisha mik.

Tani që ai nuk është më, e kuptoj se sa me fat kam qenë për miqësinë që më fali dhe për gjithçka mësova prej tij për botën arbëreshe.

Zef Chiaramonte, lindur 78 vjet më parë në Santa Cristina Gela, pranë Palermos, është një nga kontribuesit më të shquar të kulturës arbëreshe, një nga njohësit e vlerësuar të traditës në Shqipëri dhe në Kosovë, autor i mjaft librave e dhjetra artikujve në gjuhën shqipe dhe italiane.

Kisha shtërnguar dorën me të 10 vjet më parë, kur në muzeun arkeologjik të Durrësit promovoi librin poetik “Vulë uji – Marca d’acqua”.

Më pas u bëmë miq dhe e quaja me respekt “Bacë, si vëlla i madh”, dhe ai më përgjigjej “Lalo, si vëlla i vogël”.

Sa herë i jepej mundësia, vinte në Shqipëri për të referuar në Kuvendin e studimeve arbëreshe, gjithmonë i vlerësuar për kontributin, po edhe për komunikimin e drejtpërdrejtë e transparent.

Në Durrës ndalonte kudo, edhe në monumentet e gërmimet arkeologjike.

Ishte më shumë se kënaqësi të intervistoje Zef – Giuseppe Chiaramonten.

Dy javë më parë, ditën e parë të shkurtit, i  kërkova një informacion mbi Melendunjon, një qytezë arbëreshe në Puglia.

Më shkroi brenda ditës, ekzaktësisht fjalët e mëposhtme:

“Mimbrema Lalo, Ju do jeni ne gadishullin salentin/penisola salentina, brenda krahines Pulja.

Pasi ndihmoi mbretin Ferrante te Napolit qe te asgjesoje baronet rebel, Gjergj Kastriotit iu dhane toka feudale ne kete gadishull, si dhe titulli Principe di Galatina.

Pas pushtimit turk te Shqiperise, shumica e te ikurve arbereshe vershoi mu ne ato toka, ku kujtimi i te madhit Gjergj ruhet edhe sot me te madhe.

Ne Lecce kur isha, vizitova kishen tone te Shen Kollit e cila i bie ne cep te lagjes arbereshe”.

Me një grup kolegësh nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë zhvilluam këto ditë një vizitë në Bari, Otranto e Leçe, ku do të vizitonim ndër të tjera edhe qytezën arbëreshe Melendunjo.

Prof Zef Chiaramonte iku më shpejt se sa vizita jonë.

E ndërsa sot bashkëqytetarët e vendlindjes do ta përcjellin nga Katedralja e Piana degli Albanesi për  në banesën e fundit, në kishën Shën Luçia të Durrësit miqtë e tij shqiptarë dhe italianë sot në mbrëmje do ti japin përshpirtjen Zef Giuseppe Chiaramontes, studiuesit, autorit dhe njeriut të shquar.